English

Aneta e Linda, bashkë me socialistët protestë te KQZ

Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Janë rikthyer sërish për të vijuar atë që kishin lënë në mes, mbrojtjen e kauzës së tyre, dhe mbrojtjen e votave të marra.

Deputetët socialistë së bashku me simpatizantë të kësaj force politike, nga ambientet e jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku po qëndrojnë prej disa ditësh po bëjnë thirrje kundër shqyrtimit të fletëve të votimit të kontestuar dhe kundër ndryshimit të rezultatit për bashkinë e Tiranës.

Njëri pas tjetrit, të zgjedhurit socialist nga podiumi i improvizuar nuk kanë kursyer fyerjet ndaj kreut të KQZ-së Arben Ristani dhe kreut të qeverisë Sali Berisha për vjedhje të votave në tavolinë.

Ndonëse vetë nuk është afruar asnjëherë pranë këtij komisioni kryesocialisti Rama duket se është përfaqësuar nga nëna e tij Aneta si dhe nga bashkëshortja Linda, të cilat së bashku me qytetarë e simpatizantë u janë bashkuar thirrjeve kundër KQZ-së dhe Qeverisë.

Pavarësisht thirrjeve të përfaqësuesve të opozitës, situata paraqitet e qetë, ku fatmirësisht edhe shtytjet me policët nuk janë shfaqur.

Sakaq lideri i opozitës Edi Rama në këto momente është në një takim me përfaqësinë e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, atë të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, ku duket se do të marrë këshilla, dhe sugjerime lidhur me situatën në të cilën është futur Partia Socialiste dhe i gjithë vendi.

a.y/NOA

KOMENTE