Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë ditës së sotme priti sot në një takim Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet.
Që në fillim të takimit, kreu i qeverisë Berisha i shprehu mirënjohjen atij për kontributin që ai dhe delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhanë në vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Nga ana e tij, Stonestreet deklaroi se ai dhe misioni i tij patën me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj bashkëpunim të shkëlqyer, si dhe për transparencën e plotë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij i ofruan, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre.
Më tej u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktësia dhe transparenca e procesit të numërimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptar dhe ata ndërkombëtar patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë.
Kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR vlerësoi edhe sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit.
Stonestreet theksoi se në aspektin e përdorimit të burimeve të administratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara.
Një fokus të rëndësishëm gjatë takimit mori edhe rëndësia e fillimit sa më shpejtë të reformës zgjedhore si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të mëparshme si dhe atyre që do të dalin nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, për konsolidimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve evropiane.
a.y/NOA