English

Diktatura e mediave

Nga Berat Buzhala

Arsenalit të ofendimeve në adresë të Koalicionit Qeverisës, me theks të veçantë në adresë të Kryeministrit Hashim Thaçi, po i shihet fundi.

Nëse kemi arritur në situatën që Thaçin ta shohim të krahasuar edhe me babanë e të gjitha diktaturave, Adolf Hitlerin, atëherë kjo dëshmon se tash e tutje krahasimet tjera do të janë më beninje.

Kulmi tashmë është arritur. Çfarëdo qoftë toplista e diktatorëve, padyshim se Führer-i gjendet i ulur këmbëkryq në ballin e oxhakut. Në teori, liderit të një shteti, ofendim më i madh nuk mund t’i bëhet se sa ta krahasosh me kasapin e shekullit të XX - individit që është përgjegjës për vdekjen e rreth 60 milionë njerëzve.

Pajtohem që edhe kritikat më malicioze që i bëhen pushtetit, janë më të shëndetshme se sa pushteti të mos kritikohet fare. Dhe është shumë mirë kur në Kosovë ka hapësirë dhe ka mundësi që pushtetarët të kritikohen me termat më brutal të mundshëm. Keq do të ishte vetëm nëse këto që thuhen do të ishin të vërteta, apo pjesërisht të vërteta, apo vetëm pak të vërteta.

Këtë situatë ish-nënkryetari simpatik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, do ta quante si "sharmë të demokracisë".

E ky është vërtet sharmi i demokracisë, kur brenda një jave në dy gazeta të ndryshme Kryeministri i vendit sulmohet dhe krahasohet me diktatorë të ndryshëm, e në të njëjtën kohë e prej të njëjtëve gazetarë/analistë thuhet se në Kosovë mungon totalisht liria e shprehjes. Një pyetje: këto shkrime dhe këto akuza morbide ku po botohen? Ne vende diktatoriale, shkrime të tilla do të botoheshin në rastin më të mirë në ndonjë gazetë apo fletushkë që nxirret prej disidentëve në diasporë.

Mirëpo fatbardhësisht që kjo nuk është e vërtet, e fatbardhësisht gjithsecili ka mundësi dhe hapësirë që t’i shprehë lirshëm dhe pa frikë nga ndonjë pasoje a hakmarrje e pushtetit mendimet e tija, sado të marra qofshin ato.

Situata të tilla e ndihmojnë qeverinë, por fatkeqësisht i dëmtojnë vet mediat. E ndihmojnë qeverinë në kuptimin se ajo dhe personat që e udhëheqin atë - padyshim që në mesin e tyre ka edhe të tillë që nuk e ka shumë përzemërt kritikën - ushtrohen për të pranuar sulme prej më jokonvencionaleve të mundshme.

Sado çuditshëm të tingëllojë, ndonjëherë idiotët dhe të marrët - pa dijeninë e tyre dhe pa qëllimin e tyre - e zgjerojnë hapësirën e demokratike të një shteti. E shtyjnë tolerancën e shtetit deri në limitët e skajshëm. Sepse mendimet janë të lira. Secili njeri ka të drejt të mendojë se Hashim Thaçi është Adolf Hitler. Dikush tjetër ka të drejtë të mendoj se është si George Washington. Ose asnjëri prej tyre.

Ndoshta është thjeshtë Hashim Thaçi, një lider i një shteti të vogël që po përpiqet jashtëzakonisht shumë për të dalë prej fazës së tranzicionit dhe të bëhet pjesë e familjes europiane. Me të gjitha punët dhe gabimet, Kryeministri i vendit po i përgjigjet thjesht mandatit që ka marrë prej qytetarëve, në zgjedhjet e fundit të pranuara prej të gjithë spektrit politik. Në gjithë këtë vorbull ka çka të kritikohet e ka edhe çka të lavdërohet, mirëpo nuk është e ndershme prej medieve, pronarët e të cilave kanë edhe ambicie politike e edhe ekonomike, që sapo ta humbin një shans në politikë apo një tender në ekonomi, përnjëherë ta ndërrojnë kursin editorial. Kosova e kishte vetëm një aeroport për ta dhënë me koncesion, e aty dikush humb e dikush fiton. Kosova brenda një mandati mund ta zgjedhë vetëm një President, e aty dikush zgjidhet e dikush mbetet në pritje.

Sulmet e tilla të pabaza dhe krahasime të tilla qesharake, unë mendoj, se më së shumti i bëjnë dëm vet medieve. Nëse tash kemi mbërritur në situatën që media të caktuara, në editoriale, apo komente redaksionale, kanë shkuar aq larg sa e kanë krahasuar Kryeministrin e vendit më figurat më të urryera të historisë së njerëzimit, kurse në anën tjetër nuk ka ndonjë reagim qytetar, atëherë diçka ose nuk po funksionon me shoqërinë tonë, ose këto media kanë probleme fundamentale për ta dalluar të mirën prej të keqes; të bardhën prej të zezës; diktaturën prej demokracisë; dhe diktatorin prej liderit të zgjedhur në mënyrë demokratike nga qytetarët. Dhe në këtë qorrsokak, ku nuk arrihen të bëhen dallimet elementare, më së shumti pësojnë vet mediat, të cilat po i shpenzojnë me gjenerozitet ofendimet maksimaliste.

Unë nuk e di se çfarë kualifikimi tjetër do të mund t’i bëhej Kryeministrit, apo të gjithë neve që mendojmë ndryshe prej tyre? Me çfarë emri do të na quajnë? A kemi të drejt ne, si politikan, që të kemi mendim tonin, që mund të mos jetë sikur i tyre? Në fakt a kemi ne të drejt që ta gëzojmë lirinë e shprehjes?

Autori është deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës

KOMENTE