Tiranë, 20 maj, NOA – Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, të cilët kanë qëlluar me sende të forta punonjësit e policisë gjatë përplasjes para ambienteve të KQZ-së.
Dy personat arrestuar janë vëllezër dhe njëri preje tyre është punonjësi i Policisë Bashkiake. Ata janë Urim Isak Marku, 27 vjeç, banues në Shkozë Tiranë, i dënuar më parë për “Plagosje të rëndë me dashje”, me detyrë punonjës në Bashkinë e Tiranës dhe Shpëtim Isak Marku, 36 vjeç.
Arrestimi i tyre është bërë mbrëmë nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe persona të tjerë, kanë kundërshtuar me dhunë dhe fyer punonjësit e policisë në krye të detyrës”.
Ata kanë shtyrë dhe goditur me sende të forta forcat e policisë, me synim kalimin me dhunë të kordonit të policisë, i cili ishte vendosur me planizimin në pjesën hyrëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në vendimin e këtij të fundit.
Policia bën të ditur se punonjësit e policisë po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe në Spitalin “Nënë Tereza” Tiranë.
Ndaj dy vëllezërve ka nisur procedimi penal. Gjithashtu, Policia e Tiranës “fton pjesëmarrësit në tubim, të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”.
a.k/NOA