Tiranë, 20 Maj 2011 NOA – Kryeministri Sali Berisha flet për zhvillimet e fundit në vend. Vlerëson se nuk ndodh kurrë në Evropën e sotme që të përpiqesh, që rezultatin paraprak ta imponosh si rezultat përfundimtar dhe thekson se “kur ai është 10 vota, por çdo qytetar i qytetëruar i Shqipërisë dhe Evropës, do të thoshte se “me këto 10 vota jam fitimtar, por kjo nuk është përfundimtare, sepse është e ngushtë diferenca”. Për Berishën, ky rezultat mund të ndryshojë, prandaj unë përgatitem të pranoj çdo rezultat”.
Ndalet tek zhvillimet në KQZ dhe duke folur për numërimin e votave të ngatërruara siguron se “absolutisht kam vetëm një qëndrim, të marrim atë që meritojmë”. Deklaron se nuk kërkon “kurrë dhe nuk do të kërkoj kurrë atë që nuk meritojmë”. Kurse shtron pyetjen: “Po përse nuk duhet të lemë KQZ-në të numërojë votat?”, të cilës i gjen edhe përgjigjen: “Këta nuk janë alienë, janë shqiptarë, janë qytetarë, janë forca politike të këtij vendi”.
Votat e panumëruara, të cilat gabimisht nuk janë hedhur në kutitë për të cilat ka qenë qëllimi për tu hedhur, është çështje e ditës sot. Por me sa duket kjo i ka ndodhur zotit Topi, i cili votën për kryetarin e bashkisë e ka hedhur në kutinë për kryetarin e minibashkisë. Si e komentoni këtë fakt, në këtë periudhë ku po merr më shumë kuptim shprehja se “detajet bëjnë diferencën”?
Do të më falësh, por për arsye të postit që mbaj të mos bëj asnjë koment për votën e kryetarit të shtetit. Edhe kimizmi është i atillë që nuk do ti shërbenin kësaj klime, komentet që do të bënim. Kështu që kur të bëjë një konference shtypi drejtojani atij këtë pyetje.
Duke parë situatën të cilën po kalojmë ku po sulmohet KQZ, ku janë bllokuar disa nga rrugët kryesore të vendit, a mendoni se do ti heqin paralele kësaj situate me ngjarjet e vitit 1997? Dhe si mund të kemi një zhbllokim të kësaj situate?
Së pari nuk ka ndonjë analogji me 97, përkundrazi sot demokracia shqiptare është 14 herë më e fortë, më e fuqishme, me solide se në 97. Ju garantoj unë ju se as ka dhe as nuk mund të ketë 97. Ka një maxhorancë, ndër më solidet nga 1992 e deri më sot. Ka institucione të cilat funksionojnë. Natyrisht ka interesa, të cilat shtyjnë këto gjëra,por analogji me 97 nuk ka dhe nuk mund të ketë.
E provuan përpjekjen për të rrëzuar me dhunë qeverinë. I kanë të gjitha të qarta se çdo të thotë një përpjekje tjetër, kështu që ftoj qytetarët që të rrinë të qetë dhe të sigurtë se rendin demokratik nuk do të mund ta lëkundë asgjë, se askush dhe asgjë nuk do të mund të bllokojë numërimin e votave të tyre, se askush dhe kurrë nuk do të mund të shpallet fitimtar me rezultate paraprake, se pastaj nuk do të ishin më zgjedhje.
Duke parë se si po vijon zhvillimet dy ditët e fundit a nuk do të kishte qenë më mirë që rezultati përfundimtar të jepej nga KQZ dhe me tej të ankimohej në kolegj zgjedhor që të mos përballeshim me këtë situatë?
Lidhur me këtë çështje KQZ është një institucion, i cili ka një ligj shumë të rëndësishëm, ligjin me tre të pestat, por nuk është vetëm ky ligj, është kushtetuta e zgjedhjeve, është kushtetuta e procesit më themelor të sistemit demokratik, që është procesi zgjedhor, ndaj dhe ai nuk mund ta shkelë atë dhe nuk mund të nxjerrë rezultatin përfundimtar pse dikush e rrethon atë, pse dikush kërkon ta paralizojë dhe të mos numërojë votat, pse dikush kërkon të shpallet fitimtar me rezultate paraprake dhe bene këtë vetëm e vetëm se është i sigurtë se një rezultat me 10 vota në rrugën e shqyrtimit mund të ndryshojë me 10 herë, mund të bëhet me plus, minus 100, pra KQZ ecën në çdo hap sipas ligjit dhe dua të theksoj një gjë tjetër se ultimatumet e zotit Rama të shoqëruar me ftesën për bashkëpunim dhe kërcënimin për rrokullisje në rast se vihet në diskutim ky rezultat, shumë e jo pak, i kanë interpretuar si ftesë për kompromis, “më jep Tiranën dhe unë të bëjë këto gjëra”. Nuk është ky një mesazh, të jem i hapur me ju, i ardhur në kanale private nga zoti Rama tek unë, është i interpretuar. Unë dua ti them zotit Rama, se ata 800 e ca mijë shqiptarë që votuan koalicionin tim, pas 20 vitesh pushtet dhe opozitë të Sali Berishës do të merrnin, në rast se do të ndjenin që unë po jap pushtet në tavolinë, goditjen më të rëndë dhe unë meritoja çdo votë të tyre ndëshkim përfundimtar. Unë atë s’do ta bëja kurrë, por nga ana tjetër në qoftë se kjo do të ndodhte, që unë të pranoja rezultatin paraprak për rezultat përfundimtar ashtu siç më kërkon kundërshtari, të garantoj se ato 660 mijë qytetar të këtij vendi që kanë votuar “Aleancën për të ardhmen” të udhëhequr nga zoti Rama do të konsideronin njëherë e përgjithmonë liderin e tyre si skllav të kryeministrit Sali Berisha, çka nuk mund të ndodhe kurrë. Duhet ti heqim këto koncepte. Edhe kjo është një arsye më themelore për të numëruar me pastërtinë më të madhe, me transparencën më të plotë, me korrektesën më qytetare çdo votë, kjo është një garë e ngushtë, kjo është një garë me 10 vota. Një rezultat prej 10 votash kur ka 250 mijë votues, një staticien më tha se ndodh një herë në 10 mijë vjet, por le ta themi një herë në 100 vjet se për 10 mijë vjet po jua lëmë të tjerëve. Pra vetëkuptohet që kjo garë do ndahet me pak vota. Sigurisht që njëra pala do të jetë fituese e tjetra jo, por ama qytetarët e Tiranës do të nderohen në çdo votë dhe e meritojnë se ne klasifikimin tjetër tribal janë të tjerët, nuk janë këta. Këta janë qytetarë dhe ne do ti respektojmë.
Ju thoni se çdo votë duhet numëruar pavarësisht se është hedhur në një kuti tjetër, kjo për probleme emocionale, apo për mos dallime ngjyrash, por si do ta komentoni spotin elektoral të KQZ që paralajmëronte qytetarët se çdo votë e hedhur në kuti tjetër ishte e pavlefshme?
Nuk ekziston fare një gjë e tille. Ka një ligj, asgjë nuk ekziston jashtë ligjit dhe mbi ligjin. Lexoni ligjin. Ligji shqiptar nuk i konsideron këto vota te pavlefshme dhe kur vjen puna për vlefshmërinë e votës dallimi është dita dhe nata. Spoti është komercialitet, ka të bëjë me rritjen e vetëdijes. Komisioni numërimit te votave është i detyruar ligjit, nuk ka detyrim bërjen e spotit. Ligji ka detyruar komisionin që qytetarët ti drejtojë në kutitë përkatëse, për rrjedhojë barrën e ka komisioni, përgjegjësinë e ka komisioni që çdo qytetar të hedhë votën në kutinë e duhur. E kanë përmbushur në tërësi këtë detyrë, por këto vota nuk mund të dënohen, nuk janë jetime këto vota, si mund ti quajmë këto vota te askujt, këto janë vota të qytetarëve të Tiranës. Në rastin konkret. Ka qytete te tjera, unë kam informacion që nuk kanë bërë asnjë sherr, por i kanë transferuar këto vota automatikisht në kutinë e duhur Ligji detyron komisionin e qendrës së votimit të numërojë të 4 kutitë njëra pas tjetrës dhe pastaj të fillojë nga e para.
Sot pamë që zoti Barroso të anulojë vizitën në Tiranë dhe pastaj pamë që zoti Rama edhe ne deklaratat e tij të fundit ka folur për revoltë popullore ne ditët në vijim. A mendoni që kjo situatë që është krijuar do të vonojë sërish statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Absolutisht, në mënyrë të padiskutueshme, kjo situatë e dëmton, por përse do të themi ne që se dëmton, kur njerëz përpiqen të bllokojnë KQZ, kur deputete pushtojnë sallën e tyre dhe agresojnë zyrtarë më të lartë të tij, kur njerëz me imunitet kacavirren si primitivë mbi supet dhe kokat e policeve, bëjnë thirrje për gjak, bëjnë thirrje për revolta. Natyrisht këto janë të gjitha jashtë standardeve evropiane. Integrimi evropian është i lidhur me standardet. Qytetaret shqiptare folën. Prape do te flasin ndaj dhe ne i marrim me gjakftohtësi, konsolidojmë shtetin ligjor, konsolidojmë rregullin, do te kemi statusin atëherë kur ta meritojmë.
Unë kam një gjë shumë te thjeshte dhe te hapur me te gjithë bashkëbiseduesit e mi te Brukselit dhe te Evropës. Absolutisht kam vetëm një qëndrim, të marrim atë që meritojmë. Nuk kërkoj kurrë dhe nuk do të kërkoj kurrë atë që nuk meritojmë. Po përse nuk duhet të lemë KQZ-në të numërojë votat? Këta nuk janë alienë, janë shqiptarë, janë qytetarë, janë forca politike të këtij vendi. Zotërinj, kjo është e vërteta. Ndaj dhe ky proces do të ecë sipas meritës dhe unë kam vetëm këtë qëndrim që të vlerësohemi sipas meritës.
Nuk ndodh kurrë në Evropën e sotme që të përpiqesh, që rezultatin paraprak ta imponosh si rezultat përfundimtar, kur ai është 10 vota, por çdo qytetar i qytetëruar i Shqipërisë dhe Evropës, do të thoshte se “me këto 10 vota jam fitimtar, por kjo nuk është përfundimtare, sepse është e ngushtë diferenca. Ky rezultat mund të ndryshojë, prandaj unë përgatitem të pranoj çdo rezultat”.