English

Media: Pasuria e paligjshme në Kosovë

Kosova nuk ka ende një ligj për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të jetë efektive, nëse nuk ekziston një ligj që mundëson konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ata thonë se ekzekutivi i vendit qëllimisht po vonon kompletimin e paketës ligjore antikorruspion

Bekim Shehu

Autoritetet në Kosovë, tash e një kohë të gjatë i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kjo luftë nuk mund të jetë efektive nëse nuk përcillet edhe me akte ligjore. Nëse një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës. është pasuruar për një periudhë të shkurtër kohore dhe në mënyrë të paligjshme, pasuria nuk mund t'i konfiskohet, sepse akoma nuk ekziston ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Këtë shqetësim e ka ngritur në një raport, Instituti për Politika Zhvillimore, KIPRED.

Në këtë raport thuhet, se praktikat e mira të vendeve të rajonit kanë treguar, se bartja e përgjegjësisë për të dëshmuar pasurinë te pala e dyshuar, është shumë më efikase dhe njëherësh e zvogëlon ngarkesën e punës së institucioneve për sundimin e ligjit. Si shembull i mirë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në raport përmenden Shqipëria, Italia dhe Kroacia.

“Në rast se dikush në këto vende dënohet për krim të organizuar ose për korrupsion, me një vendim të plotfuqishëm të gjykatës, e gjithë pasuria e këtyre të dënuarve konsiderohet si e paligjshme, nëse ata nuk mund të ofrojnë dëshmi se pasurinë e kanë fituar në mënyrë të ligjshme," thuhet në raportin e KIPRED. Në raport po ashtu thuhet: “Agjencia Kundër Korrupsionit ka raportuar se 43 zyrtarë të lartë publikë në Kosovë, kanë mospërputhje në të dhënat rreth deklarimit të të ardhurave dhe pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, para zgjedhjeve parlamentare të 2010."

Ariana Qosaj-Mustafa nga ky institut, thotë për radion DW se personat e përfshirë në aktivitete korruptive ose personat, siç thotë të pasuruar brenda natë, janë shndërruar në një brengë të madhe për ekonominë e vendit. “Meqë korrupsioni i profilit të lartë në Kosovë po vazhdon, konfiskimi i pasurisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten sfidë e madhe që të arrihet drejtësia, që duhet t'u ofrohet taksapaguesve kosovarë”, thotë Ariana Qosaj.

Zonja Qosaj, thotë se numri i dënimeve në gjykata për rastet e korruspionit është shumë i vogël. Madje sipas saj, edhe në rastet kur gjykatat kanë shpallur vendime, konfiskimi i përfitimeve nga krimet nuk janë urdhëruar asnjëherë nga gjyqtarë të Kosovës apo ata të misionit EULEX-it. Ajo rikujton, se Parlamenti i Kosovës ka themeluar një agjenci për administrimin e pasurisë së sekuestruar. “Mungesa e vullnetit politik është ajo, e cila tregon që ne mendojmë të hartojmë ligje për parandalim të krimit të organizuar, ndërsa e kemi situatën evidente dhe nëse dilni vetëm në rrugët e Prishtinës, shihni vetura glamuroze që kushtojnë 60-70 mijë euro, ose shtëpi me qindra metra katrorë që po ndërtohen. Nga po vjen kjo shumë”, thotë Ariana Qosja-Mustafa.

Por, sipas zyrtarëve ligjorë të parlamentit të Kosovës, agjencia për sekuestrimin e pasurisë së paligjshme nuk mund të jetë plotësisht funksionale nëse nuk ka ligj për konfiskimin e saj. Arben Gashi, kryetar i komisionit për legjislacion, thotë se ka një mungesë të vullnetit politik nga qeveria e Kosovës për të proceduar ligjin në parlament. Kjo për faktin që thotë ai, kohët e fundit ka disa akuza për korrupsion që rëndojnë mbi zyrtarë dhe ish zyrtarë qeveritarë.

Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duhet hartuar fillimisht nga qeveria e Kosovës dhe më pas të miratohet në parlament. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë, se ata janë në hartim e sipër të këtij ligji dhe së shpejti ai do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, thonë se fillimisht duhet të ketë një vullnet institucional për luftimin e korrupsionit dhe ky vullnet sipas tyre duhet pasuar edhe me miratimin e ligjeve që lidhen drejtpërdrejt me këtë luftë. Avni Zogjiani, është nga organizata joqeveritare antikorrupsion, ÇOHU. “Marrë parasysh insistimin dhe luftën që kemi bërë vazhdimisht nëpër grupe punuese, kemi pasur përshtypjen që në mënyrë të koordinuar po përgatiten ligjet që mos të funksionojnë”, thotë Avni Zogjiani.

Verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i saj nëse është e paligjshme, mund të bëhet vetëm përmes hetimeve të gjithëmbarshme, të cilat përfshijnë edhe hetimet që bien në kompetencë të prokurorisë dhe policisë. Këtë kompetencë nuk e ka agjencia kosovare antikorrupsion, e cila mund të bëjë vetëm raport me të dhënat e saja dhe ato të dhëna t'i dorëzojë në prokurorinë speciale të Kosovës.

Sidoqoftë, lufta kundër korrupsionit dhe miratimi i ligjeve që e bëjnë efektive këtë luftë në Kosovë është edhe kërkesë e Komisionit Evropian. Vlerësimet për efektshmërinë e institucioneve kosovare në luftën kundër korrupsionit do të përfshihen në raportin e progresit për Kosovën, i cili do të bëhet publik në nëntor.

KOMENTE