Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet një deklarate për mediat bën me dije se u ka hequr licencën shtatë kompanive të hidrokarbureve për shkak të mosplotësimit të detyrimeve, pas pezullimit të aktivitetit të tyre për 1 muaj.
Pas shqyrtimit të këtyre rasteve, kreu i METE Nasip Naço, vendosi masën “Heqje leje tregtimi” për shtatë shoqëri të përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Bëhet fjalë për shoqëritë, “Autolubrifikant’’ sh. a; shoqërinë “Tiramol” sh. a; shoqërinë “Albania Airlines & Jet Fuel Supply” sh. a; shoqërinë “ Beusal” sh. a; shoqërinë “ Pilinci Enterprise Co” sh. a; shoqërinë “ Orient” sh. a. dhe shoqërinë “Jemishta” sh. a.
Burime zyrtare nga kjo ministri bëjnë me dije se ndaj këtyre shoqërive gjatë muajit
mars ishte ndërmarrë pezullimi i lejeve të tregtimit për shtatë shoqëritë, sipas propozimit të Inspektoriatit Qendror Teknik, për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Ministria e Ekonomisë vendosi heqjen e licencave për këto kompani, pasi aktiviteti i tyre ekonomik në fushën e hidrokarbureve nuk zhvillohej në përputhje me ligjin.
Lidhur me tregun e hidrokarbureve mësohet se METE, ka ngritur një grup pune, për verifikimin e të gjitha shoqërive të tregtimit të naftës dhe të nënprodukteve të saj, për verifikimin e shkeljeve apo zbatimin e të gjitha sanksioneve që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit.
a.y/NOA