English

Ndërkombëtarët dhe masakra zgjedhore

Nga Edi Rama

Mbrëmë Saliu ka rrahur barbarisht dy djem opozitar, dy vëllezër, dy malësorë banorë të kryeqytetit, duke i bërë një pritë me dhjetëra policë të maskuar mu përpara Ministrisë të Drejtësisë, teksa djemtë ktheheshin në shtëpi. Trupat e tyre të masakruar në mes të rrugës janë tërhequr zvarrë për në Drejtorinë e Policisë, ku janë lënë përtokë për disa kohë të mbytur në gjak.

Dhe pastaj, vetëm nga frika se mund të dilte fryma e fundit mbi dyshemenë e asaj drejtorie, janë çuar në Spitalin Ushtarak. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, në vend se të ndalohen dhe çohen përpara drejtësisë horrat që ushtruan dhunën e egër me armët, shkopinjtë, maskat e uniformat e policisë, janë shpallur të ndaluar vetë trupat e rrahur. Me motivin e dobët të gjoja kundërshtimit të policisë. Ne i shprehim të gjithë respektin dhe solidaritetin tonë të dy djemve, duke i siguruar se herët ose vonë, por më shumë herët sesa vonë, drejtësia do të veprojë mbi dhunuesit e mbi urdhëruesit e tyre.

U kam thënë mbrëmë dhe po u’a përsërisë sot publikisht drejtuesve të Policisë së Shtetit, zotit Hysni Burgaj drejtor i përgjithshëm dhe zotit Saimir Muçaj drejtor i Tiranës, se do të jenë personalisht ata dhe vetëm ata përgjegjësit e drejtpërdrejtë përpara ligjit për këtë dhunë të patolerueshme, në rast se nuk nxjerrin përpara përgjegjësisë ligjore dhunuesit e të dy qytetarëve opozitarë, duke e kthyer kësisoj Policinë e Shtetit në strehë horrash shoqërisht të rrezikshëm si ata të mbrëmshmit.

Ndërkohë Saliu, frymëzuesi i kësaj dhune, fatkeqësisht kryeministër i këtij vendi, i cili ka marrë peng zgjedhjet e 8 majit në Tiranë dhe e ka kthyer KQZ-në në një bandë kusarësh që vjedhin votat, sy më sy, para një populli të tërë që i sheh i skandalizuar, duhet ta ketë shumë të qartë se përmes dhunës institucionale e policore jo vetëm nuk na tremb, po na bind edhe më shumë në domosdoshmërinë e një rezistence qytetare të paepur deri në fund.

Nëse ai nuk ndalet, ne nuk do ta njohim më qeverinë e tij.

Ne nuk do ta njohim më parlamentin e tij.

Ne nuk do t’i njohim më institucionet e kapura për fyti prej tij.

Ne do të njohim vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbrojmë me çdo çmim liritë e të drejtat që na jep kushtetuta, duke mbrojtur demokracinë me çdo sakrificë të nevojshme. E falënderoj, sinqerisht si përditë në këto ditë të vështira, komunitetin ndërkombëtar, trojkën e ambasadorëve, misionin e ODIHR-it, ashtu siç

falënderoj posaçërisht sot përfaqësuesin e lartë të Departamentit të Shtetit, zotin Phil Gordon, për shprehjen e shqetësimit serioz të Shteteve të Bashkuara lidhur me zhvillimet e pas 8 majit. Bashkohemi me zotin Gordon në nevojën për respektim të procesit zgjedhor dhe për një sjellje të KQZ-së në përputhje të plotë me ligjin.

I sigurojmë Shtetet e Bashkuara se dhuna nuk është rruga jonë, por u kërkojmë në emër të qytetarëve të vjedhur haptazi gjithë këto ditë në votën e tyre dhe të dhunuar mbrëmë fizikisht në errësirën e natës, që të mos e lënë Shqipërinë vetëm, në të tatëpjetën e rrezikshme ku po e shtyn orë pas ore kryeministri i vendit përmes dhunës në KQZ e nëpër prita primitive si ajo e mbrëmshmja ndaj dy djemve të pafajshëm opozitar. Jemi të gjithë në një mendje me Departamentin e Shtetit që populli shqiptar meriton një demokraci

të qëndrueshme dhe të mirëqenë, të bazuar në vlerat universale e në rendin e ligjit, por ajo çka po ndodh sot në KQZ e çka ndodhi mbrëmë me ata dy djem, në shkelje të ligjit e të çdo vlere universale të botës demokratike, shkon në drejtim të kundërt me nevojat e shqiptarëve e me detyrimet e Shqipërisë për stabilitet kombëtar e rajonal. E falënderojmë me mirënjohje edhe mesazhin e minutave të fundit nga Brukseli për KQZ-në.

Të dashur miq e partnerë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, ndërhyni sa nuk është vonë për ta ndalur masakrën zgjedhore dhe masakrimin e qytetarëve me forcën e verbër të një shteti të kapur për interesat e një pushteti të vjedhur.

Ashtu si historia e botës demokratike në të shkuarën, edhe historia modeste e Shqipërisë pluraliste mëson se e keqja që mbillet me vjedhjen e votës, kthehet në një minë për stabilitetin e vendit, për funksionimin e institucioneve, për qetësinë e sigurinë e qytetarëve. Ju të respektuar miq të popullit shqiptar bëtë gjithçka për t'i siguruar këto zgjedhje si një hap përpara për Shqipërinë, sot duhet të bëni patjetër diçka për të mos

lejuar që degjenerimi i këtyre zgjedhjeve në KQZ ta kthejë Shqipërinë hapa të tërë mbrapa, në të kaluarën e saj të hidhur.

Sot pamja është e qartë. Paqartësia në shikimin e saj të qartë dhe ngurrimi për të folur qartë në emër të vlerave universale që ju mbroni e të rendit ligjor që ju promovoni në Shqipëri, mund të prodhojë turbullira shoqërore me pasoja të paparashikueshme për këtë vend e njerëzit e tij. Mos lejoni që qytetarët e këtij vendi të kthehen në pengje të vjedhjes e të frikës që po i bëjnë këto ditë kaq të zymta për shqiptarët e zakonshëm.

Populli mund të vidhet, po s'mund të tridhet.

Opozita shqiptare është me popullin në të mirë e në të keq.

Ne bëmë detyrën tonë para qytetarëve e vendit tonë, i mbajtëm një për një angazhimet tona para komunitetit ndërkombëtar, dhamë të gjithë kontributin e mundshëm për ti garantuar zgjedhjet e 8 majit si proces demokratik e ligjor. I fituam këto zgjedhje me një rezultat të qartë e të thellë në shumicën e territorit të vendit dhe në Tiranë me një rezultat të ngushtë, por të pastër, në sytë e miliona shqiptarëve. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm jo për pazare me palën tjetër, por për mirëkuptim politik e institucional në të mirë të Shqipërisë, ashtu siç ndodh mes palëve në çdo vend të qytetërimit demokratik. Por kurrë s'do jemi të gatshëm të pranojmë një rezultat e një qeveri që e kthen Shqipërinë në një vend ku nuk vendosin ata që votojnë të lirë po ata që numërojnë me pahir, duke dhunuar lirinë, drejtësinë, demokracinë.

KOMENTE