English

Nisin protestat e PS në qytete, bllokohet rruga Tepelenë-Gjirokastër

Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Ashtu sikurse edhe ishte lajmëruar nga ana e Partisë Socialiste nëpër qytete kanë nisur grumbullimet dhe protestat e para.

Gjirokastra, Elbasani, Vlora, Saranda, Fushë Kruja, Korça, Fieri dhe Durrësi kanë nisur marshimin e tyre.

Në krye të protestave janë vënë ligjvënësit socialist dhe kryetarët e partive në këto rrethe, nën thirrjet dhe nismën për anulimin e vendimeve të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për numërimin e votave të hedhura në kutinë gabuar, për garën për kryetar bashkie në Tiranë.

Sakaq aktualisht mësohet se protestuesit e Gjirokastrës kanë bllokuar aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, duke bllokuar kështu lëvizjen e të gjitha automjeteve.

Sakaq edhe në Sarandë dhe Elbasan ka nisur aktivisht protesta, ku simpatizantët socialistë kanë mbushur rrugën, me thirrje kundër qeverisë dhe kundër numërimit të fletëve të kontestuara nga KQZ.

Ndërkaq në Tiranë protestuesit në vijimësi qëndrojnë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke tentuar herë pas here të hyjnë dhe brenda tij.

a.y/NOA

KOMENTE