Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të numërimit të fletëve të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, për kryetarin e bashkisë së Tiranës deri më tani ka numëruar 84 kuti.
Nga këto kuti kandidati i “Aleancës për të ardhmen” ka marrë si të vlefshme 138 vota, ndërsa ai i koalicionit “Aleanca për qytetarin” mban 59 vota.
Çdo fletë votimi është numëruar dhe vlerësuar nën kundërshtinë e qëndrueshme të përfaqësuesve socialistë të cilët janë shprehur se shqyrtimi i këtyre fletëve nuk mund të bëhet pasi ato janë të pavlefshme sepse bien në kundërshtim me Kodin Zgjedhor pasi kanë formë, madhësi dhe ngjyrë të ndryshme.
Por ndërsa kandidati i opozitës për kryebashkiak Edi Rama shprehet i vendosur për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, veçanërisht pas numërimit që po bëhet në KQZ, kandidati i maxhorancës Lulzim Basha thekson se është i vendosur të dëgjojë edhe vullnetin e votës së fundit të hedhur nga qytetarët.
a.y/NOA