Tiranë, 20 maj, NOA - Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo tha sot se sektori bankar në vend ka bërë progres të dukshëm. Në Forumi për Bankat dhe Teknologjinë – Niveli i ri i Banking-ut, Pollo u theksoi se shërbimet e internetit në banka kanë sjellë dhe uljen e tarifave. “Vitin e kaluar ne nxitëm bankat e nivelit të dytë , ndër to edhe Raiffeisen dhe BKT që të ofrojnë I-Banking (Internet Banking) dhe Mobile Banking, pra shërbim bankar përmes internetit dhe përmes telefonit mobil. Progresi është i ndjeshëm në të gjithe sektorin, ku më shumë e ku më pak. Ne shpresojmë që fakti i kostos së ulët të shërbimeve on line për bankat të rezultojë në tarifa zero ose minimale për klientët e tyre”, tha Pollo.
Ministri shtoi se me aplikimin e teknologjive, si 3G, dhe me ndërtimin e infrastrukturës bazë do të rritet shpejtësia e internetit edhe në telefonat celularë. “Përdorimi i internetit në Shqipëri në vitet e fundit ka qenë rritje gati eksponenciale. Fakti që Facebook e rrjetet sociale përdoren tek ne në përqindje më të larta se vendet e pasura të Europës nuk është thjesht një e dhënë triviale; ajo flet për treg potencial”, tha ai.
Pollo ka folur dhe për masat e mara për sigurinë e teknologjisë moderen. “Qeveria ka marrë masa për të rritur masat e sigurisë on line, po fusim në treg certifikata elektronike këtej e tutje jo vetëm users name & password portale interaktive. Gjithashtu falë certifikatës elektronike do të arrihet të evidentohen abuzuesit e mundshëm të sistemit.
Gjithashtu do të ngrihet një qendër CERT (Computer Emergency Response Team), për të evidentuar hackera-t dhe veprimet e paligjshme on line dhe ne po përgatitemi që të mbajmë të sigurta, jo vetëm ëebsite-t e portalet shtetërore, por edhe privatët siç janë bankat, apo utilitetet”, tha Pollo.
Temat e trajtuara në forumin e sotëm kanë të bëjnë me gjeneratën më e fundit e zgjidhjeve “Core Banking”, sistemet kundër pastrimit të parave dhe sistemet për Menaxhimin ndaj Mashtrimeve (Fraud Management).
a.k/NOA