English

Rama: Ndërkombëtarë ndërhyni, mos e lini Shqipërinë vetëm

Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama, reagoi pak minuta më parë lidhur me dhunimin e dy simpatizantëve të opozitës, duke thënë se u rrahën barbarisht pasi u bë pritë nga policë të maskuar.

Sipas tij ata janë tërhequr zvarrë nga Ministria e Drejtësisë deri te Drejtoria e Policisë e vetëm kur u pa që nuk po rezistonin më u çuan në Spitalin Ushtarak, e pas kësaj shtoi ai në vend që të çohen para drejtësisë horrat, janë shpallur të ndaluar trupat e rrahur.

Lidhur me këtë rast kreu i opozitës garantoi se herët ose vonë drejtësia do veprojë mbi dhunuesit.

“U drejtohem sërish drejtuesve të Policisë së Shtetit se do te jenë ata dhe vetëm ata përgjegjësit për këtë dhunë të patolerueshme duke e kthyer policinë e shtetit në strehë horrash. Saliu, kryeministri i vendit, i cili ka marrë peng KQZ, duhet ta ketë shumë të qartë se përmes dhunës zyrtare, na bind për rezistencë qytetare deri në fund. Nëse ai nuk ndalet, ne nuk do të njohim më as qeverinë as parlamentin, por vetëm kushtetutën. Falënderoj komunitetin ndërkombëtar dhe trojkën e ambasadorëve, bashkohem me zotin Uollfarth, për shqetësimin për procesin zgjedhor dhe u bëj thirrje të gjithë ndërkombëtarëve të mos e lënë Shqipërinë vetëm, në humnerën ku po e shtyn orë pas ore kryeministri i vendit”, deklaroi Rama.

Ai u ndal edhe në mesazhin e Brukselit ku tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vepron si organ i politizuar, madje u bëri thirrje të ndërhyjnë sa nuk është vonë, pasi historia theksoi Rama, na mëson se e keqja që mbillet nga vjedhja e votës kthehet në një minë për vendin.

Ndërkaq kryesocialisti vijoi duke u kërkuar ndërkombëtarëve të bëjnë diçka që degjenerimi i zgjedhjeve në KQZ, të mos e kthejë vendin mbrapa dhe me pasoja të paparashikueshme.

Në përfundim Rama theksoi se opozita nuk do e pranojë një rezultat që nuk është i lirë por është një rezultat që numërohet me pahir dhe pa dëshirën e shqiptarëve.

a.y/NOA

KOMENTE