Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Kreu i shtetit Bamir Topi, priti në një takim Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam, ku u përqendrua mbi situatën paszgjedhore në Shqipëri
Gjatë bisedës së zhvilluar me ambasadoren Britanike, Presidenti theksoi se duhet ruajtur qetësia, rendi publik si dhe se duhet gjetur ekuilibri i nevojshëm që vendi të mos rrëshqasë në tensione të panevojshme politike.
Më tej ai theksoi se kjo gjë mund të behet e mundur vetëm, nëpërmjet zbatimit me rreptësi të ligjeve dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese nga kushdo.
Në vijim si Presidenti Topi edhe ambasadorja britanike ndanë të njëjtin mendim se situata e tensionuar në vend po dëmton jo vetëm aspiratën integruese europiane të Shqipërisë, por edhe imazhin e saj në botë, ku u ndal te shtyrja e vizitës së planifikuar e të Presidentit të Komisionit Europian, Hoze Manuel Barrozo në Tiranë.
Nga ana e saj, Ambasadorja Mekiluam i shprehu Kryetarit të Shtetit shqiptar gjithë mbështetjen e saj si përfaqësuese diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar për rolin konstruktiv që po vazhdon të luajë si dhe për mesazhet dhe apelet pozitive e bëra deri më tani nga Presidenti për qetësimin e situatës dhe gjetjes së një zgjidhje institucionale e ligjore.
Ky takim vjen i kreut të shtetit vjen pas atij të mbajtur më herët me kryetarin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-ODHIR, Xhonatan Stounstreet.
a.y/NOA