Tiranë, 20 maj 2011, NOA- Kryeprokurorja Ina Rama gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth, ku mësohet të jetë diskutuar mbi pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Në vijim të takimit mes Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama dhe ambasadorit të OSBE, Eugen Wollfarth, u ndal në zhvillimet e procesit zgjedhor, ku u shpreh se gjatë këtij procesi është vërejtur se vendime të caktuara kërkojnë një interpretim ligjor, ndaj është e rëndësishme që trajtimi i tyre me profesionalizëm të ndikojë drejtpërdrejtë në zbutjen e qëndrimeve.
Nga ana e saj kryeprokurorja Ina Rama, u shpreh se secili institucion duhet dhe e ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje, për të garantuar shtetin e së drejtës.
Gjatë bisedës mes tyre u vlerësua performanca e Prokurorisë Shqiptare si një nga hallkat e rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit.
Më tej dy bashkëbiseduesit u fokusuan në zbatimin me rigorozitet të ligjit dhe shmangien e çdo ndikimi jashtë tij nga organet e drejtësisë.
Gjithashtu një tjetër pikë ku u ndal ishte edhe çështja e imuniteteve, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të veçantë siç janë ato qe lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim.
a.y/NOA