English

Ati i Shenjtë lidhet me astronautët në hapësirë

Vatikan, 21 maj 2011, NOA – Ati i shenjtë, Papa Benedikti XVI është lidhur sot për herë të parë me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës duke folur direkt me astronautët e bordit të anijes, dhe pikërisht komandantin Mark Kelly dhe dy prej anëtarëve italianë të bordit të anijes, Paolo Nespolin dhe Roberto Vittorin.

Lidhja direkte e papës Ratsinger u krye nga Biblioteka e Vatikanit dhe zgjati plot 20 minuta.

Papa u drejtoi astronautëve pesë pyetje të rëndësishme, mes të cilave një për paqen, një për kujdesin ndaj mjedisit, e një mbi të ardhmen e planetit Tokë, apo edhe një tjetër për aventurën në hapësirë si një rrugëtim për të zbuluar origjinën e njerëzimit.

Ati i shenjtë u interesua të dijë cili është kontributi që shkenca mund të japë për paqen dhe përgjegjësinë e saj për të ardhmen e planetit.

Gjithashtu ai u kujdes t’i pyeste astronautët se cili është mesazhi i tyre më i rëndësishëm që do të lënë trashëgim për përvojën e tyre të pashembullt.

Papa Ratsinger kërkoi të dijë se në ç’mënyrë misioni i tyre në hapësirë mund të kontribuojë në kërkimet shkencore për origjinën e njerëzimit.

Gjithashtu duke folur me astronautët e agjencisë hapësinore evropiane ESA, Papa i dërgoi komandantit Kelly urimet e tij për shëndetin e bashkëshortes, deputetes amerikane Gabrielle Giffords, e cila u plagos në muajin janar në një atentat në Arizona, duke marrë edhe falenderimet e komandantit të anijes Mark Kelly.

Gjatë kësaj lidhjeje Ati i Shenjtë ngushëlloi edhe astronautin italian Paolo Nespoli, për ndarjen nga jeta të nënës së tij, gjatë kësaj kohe të misionit hapësinor.

mit/NOA

KOMENTE