Tiranë, 21 maj 2011, NOA – Vetëm pak minuta më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i parapriu nisjes së numërimit të kutive me fletët e kontestuara të votimit në njësinë bashkiake nr. 5, numërim i cili do të nisë në orën 18.00, me nisjen e shqyrtimit të ankesave të partive.
KQZ nën drejtimin e kryetarit Arben Ristani dhe në praninë e të tërë anëtarëve ka nisur sakaq shqyrtimin e ankimimeve të partive politike për procesin zgjedhor të 8 majit, duke caktuar edhe datat përkatëse për shqyrtimin e secilës syresh.
Ndërkohë pritet që në orën 18.00 kur do të nisë në tavolinën e KQZ-së edhe numërimi i votave të kontestuara në njësinë 5, të rikthehen edhe protestuesit e thirrur nga opozita.
Sakaq edhe prania e forcave të policisë është rritur pranë mjediseve të KQZ-së.
Numërimi i fletëve të kontestuara në KZAZ-në nr. 49 erdhi pas ankesës së kësaj KZAZ-je, dhe përfundimit të procesit të numërimit të votave për kryetarin e minibashkisë, vota që rikonfirmuan për një tjetër mandat, kandidaten e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Jeta Seitaj.
Duke qenë se njësia nr. 5 është cilësuar si një bastion i Edi Ramës në kryeqytet, pritet që edhe numërimi i votave të kontestuara të sjellë një ndryshim të rezultatit në tavolinën e KQZ-së.
Megjithatë duke iu referuar trendit të votave të numëruara pranë KQZ-së, ai flet gjithnjë e më tepër, për më shumë vota që shkojnë në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha.
Kutitë e njësisë 5 do të jenë kutitë e fundit që do të numërohen në sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
mit/NOA