Tiranë, 21 maj 2011, NOA – Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton ankimimet e partive politike për procesin zgjedhor të 8 majit, qindra simpatizantë të Partisë Socialiste po protestojnë pranë KQZ-së.
Janë sërish deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të selisë rozë që po hedhin akuza kundër KQZ-së dhe kryeministrit Sali Berisha në tribunën e stacionuar prej ditësh në hyrje të godinës së institucionit kushtetues të zgjedhjeve.
Deputetët e Partisë Socialiste përmes fjalimeve të tyre i bëjnë thirrje KQZ-së të ndalë këtë vendim, për të mos shkelur votën sovrane të popullit.
Ata risollën në vëmendje edhe letrën e hapur të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili nga Parisi i propozoi kandidatit demokrat Lulzim Basha të tërhiqet nga gara për kreun e bashkisë së Tiranës.
Deputeti socialist Ditmir Bushati i bëri thirrje drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, përkatësisht Drejtorit të Përgjithshëm të saj, Hysni Burgaj se po shkel ligjin duke mbrojtur ata që po ndyjnë duart me vjedhjen e votës së popullit.
Protesta e thirrur nga opozita deri më tani është një manifestim i qetë qytetar, i cili po mbikëqyret rreptësisht nga forcat e shumta të Policisë së Shtetit.
mit/NOA