English

Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR: Numërimi i votave në KQZ, i paqartë

Tiranë, 21 maj 2011 NOA/VOA - Kryetari i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR Jonathan Stonestreet thotë se për vëzhguesit është e vështirë të kuptohet baza ligjore mbi të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara dhe nëse ajo është e justifikuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se do të ishte i dobishëm një shpjegim rreth asaj që po bën Komisioni Qëndror i zgjedhjeve. Në një garë të ngushtë si ajo e Tiranës, nënvizon ai, është institucioni që duhet të jetë i kujdesshëm për të mos dëmtuar besimin e palëve. Ai i mëshon idesë se polarizimi i theksuar preku administrimin e procesit zgjedhor.

Kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR që ndoqën nga afër zgjedhjet e 8 majit, Jonathan Stonestreet, mendon se është ende herët të jepet një vlerësim i përgjithshëm për procesin zgjedhor. Ai preferon të citojë raportin paraprak të 10 majit ku vihet theksi mes të tjerash edhe te ambienti i ngarkuar politik, te mospërmbushja nga ana e partive politike të detyrave që ato vetë kishin, gjë e cila siç thotë ai ndikoi në një administrim zgjedhor negativ: “Mendoj se ky vlerësim u reflektua në atë që ndodhi më pas. Pamë që gjatë ditës së votimit procesi shkoi relativisht mirë, pati disa vështirësi proceduriale, dhe të njëjtën gjë e pamë edhe në procesin e numërimit i cili ishte relativisht transparent. Por, në të nejtën kohë pati edhe vonesa e bllokime të ndryshme për arsye politike. Polarizimi, që pamë në fillim të këtij procesi, preku administrimin zgjedhor, vazhdoi edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, gjatë procesit të numërimit dhe deri së fundmi me njoftimin e rezultatit.

Për kreun e misionit të vëzhguesve ndërhyrjet politike, nga të dy krahët, bënë që procesi i numërimit të zgjatje më shumë se ç’duhej. “Por kjo nuk do të thotë se pati ndërhyrje në procesin e numërimit dhe në kohën e tij. Duhet pasur parasysh se jo vetëm Tirana pati zgjedhje por ishin 384 njësi të tjera të qeverisjes vendore që mbajtën zgjedhje dhe ne pamë procesin si një të tërë ndaj është e rëndësishme të dihet se në disa zona procesi vajti shumë mirë dhe në disa të tjera më pak. Mendoj se ajo që ndikoi në proces ishte gara shume e ngushtë në Tiranë dhe të pasurit një diference kaq të vogël në qendrat e numërimit të votave. Kjo patjetër do të ketë pasojat e saj dhe në çdo rast pritej të kishte ankesa në lidhje me procesin. të cilat do të ndiqeshin më pas nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, pavarësisht nga çfarë do të ndodhte”.

Në raportin tuaj të publikuar dje, një pjesë e madhe i kushtohet procesit në Tiranë. Ju flisni se ka një bazë të paqartë ligjore për mënyrën se si veproi KQZ për hapjen e fletëve të kontestuara. Jeni ju të paqartë për këtë bazë ligjore, apo ishte shpjegimi i KQZ i paqartë?

“Ajo çfarë kemi parë është se ka pasur një vendimmarrje në parim por me sa di unë nuk ka pasur një vendim përfundimtar të publikuar, akoma, prandaj është e vështirë për ne të kuptojmë se cila është baza ligjore, për të bërë një vlerësim, dhe nëse ajo është e justifikuar. Procesi i administrimit zgjedhor gjatë fazës para-zgjedhore, zgjedhore dhe procesit të numërimit në qendrat përkatëse në përgjithësi ishte mjaft transparent dhe mendoj se do të ishte e dobishme po të kishim një shpjegim të qartë rreth asaj që po bën KQZ-ja, duke përfshire këtu edhe bazat ligjore për një veprim të tillë, i cili, me sa di unë, merret në rrugë institucionale, në bazë të vendimeve që janë publikisht të disponueshme”.

Megjithatë zoti Stonstreet nënvizon se ligji parashikon një proces apelimi dhe se shpresonte që çdo parti apo kandidat të ndjekë këtë proces pasi ligjet dhe institucionet janë pikërisht për të bërë që këto kundërshtime të zgjidhen në një mënyrë ligjore, shprehet ai.

27

A mendoni se situata e krijuar e ka tronditur besimin e palëve në KQZ, një institucion që duhet të jetë arbitri i këtij procesi?

“Përsëri, mendoj se në një garë të ngushtë elektorale është institucioni që duhet të jetë shumë i kujdesshëm për të mos dëmtuar besimin. Gjatë këtij procesi si qeveria ashtu edhe opozita nuk janë sjellë në një mënyrë të përgjegjshme, gjë e cila ndikoi në punën e administrimit zgjedhor, duke kritikuar nga njëra anë KQZ-në dhe nga ana tjetër punën e komisioneve të nivelit të ulët. Shpesh herë këto beteja politike janë kryer në dëm të votuesve. P.sh. rasti i pavlefshmërisë së votave. Kjo temë është trajtuar edhe në zgjedhjet e mëparshme ku fletët përfundonin në kutitë e gabuara apo numri i lartë i fletëve të pavlefshme. Kjo gjë është përmendur edhe në raportet tona të mëparshme por nuk është përmendur as në KQZ dhe as nga partitë politike të cilat, përpara fillimit të çdo mbledhjeje në KQZ kanë të drejtën të ngrinin shqetësimet e tyre, por kjo gjë nuk ndodhi. Prandaj, mendoj se partitë duhet të reflektojnë në këtë gjë dhe në përgjegjësitë e tyre në këtë proces”.

Kreu i misionit të ODIHR-it shpjegon se pavarësisht se si do të mbyllet ky proces e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë më pas. Në Shqipëri thotë ai “do të ketë edhe zgjedhje të tjera dhe qëllimi duhet të jetë që këto zgjedhje të mbahen në përputhje dhe sipas angazhimeve e standardeve të OSBE-së”.

Pas dy muajsh qëndrimi ai do të lerë Shqipërinë javën e ardhshme. Këtu do të qëndrojnë megjithatë disa vëzhgues që do të ndjekin procesin deri në mbylljen e tij. Për të personalisht ka qenë një mision sfidues me gjithë varietetin që ka ofruar thotë z. Stonestreet. “Ka qenë një eksperiencë tërheqëse dhe u uroj shqiptarëve shumë fat në vazhdim”.

KOMENTE