Politikisht Fatos Nano ka qenë superior ndaj Sali Berishës sikur që është edhe ndaj të gjithë politikanëve tjerë në Shqipëri dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarët dhe kosovarët e Halil Matoshit dhe Nexhit. Inferioritetin politik ndaj Nanos, Sali Berisha është përpjekur ta kompensojë me një politikë folklorike ose me një patriotizëm folklorik. Kjo politikë më shumë ka prodhuar efekte jashtë territorit të Shqipërisë se në vetë Shqipërinë shkaku se” trashëgimia politike dhe kombëtare” e Enver Hoxhës e ka bërë të veten. Ka krijuar politikanë që nuk u ka interesuar shteti dhe kombi por pushteti dhe përfitimet personale. Binomin e Saliut e hoqi nga skena Edvin Rama që nuk la guri pa lëvizur deri e detronizoi nga posti i të parit të Partisë Socialiste. I përdori metodat ndër më të ndyrat për ta larguar Fatos Nanon nga PS. Tash, në vend të Fatosit pjesë degjeneruese e binomit me Saliun u bë Edvin Rama
Nga Behxhet Sh. Shala
Hape, mbylle, hape, mbylle….. Shqiptarët përfundimisht kanë problem me demokracinë. Jo se nuk e kuptojnë çka është demokracia por se e interpretojnë si mënyrë dhe rrugë që me çdo kusht t’i arrijnë majat e pushtetit edhe duke e dhunuar demokracinë. Madje, krimet më të mëdha ndaj shtetit shqiptar janë bërë kinse “ në mbrojtje të vlerave demokratike “. Shqipërisë deri me tani pikërisht shqiptarët i kanë vënë flakën tri herë duke e rrezikuar vet shtetin me zhbërje, pikërisht në emër të demokracisë. Shqipëria nuk ka qenë e rrezikuar nga “armiqtë” e jashtëm por nga armiqtë e brendshëm. Si mbrojtje nga “ kërcënimet “ e jashtme diktatori Enver Hoxha ka ndërtuar bunkerë në thuaja çdo 100 m ndërsa ka ndërtuar një vetëdije dhe mentalitet hermetik brenda kokave të shqiptarëve ku vetëdija kombëtare, dashuria ndaj shtetit dhe ndjenja për sakrificë personale në mbrojtje të interesit shtetëror dhe kombëtar ka qenë e përjashtuar. Demokratët e vërtetë që e kanë kundërshtuar komunizmin i cili ka mohuar të drejtën e shqiptarëve që të jetojnë në një shtet i ka pushkatuar apo burgosur qysh në vitin 1945 ndërsa në çdo katërvjeçar e ka herrë skenën politike në Shqipëri nga “ bima e keqe “ siç i ka cilësuar ata që e kanë kundërshtuar apo që kanë bërë përpjekje për të rikthyer ndjenjën dhe dinjitetin kombëtar. Në emër të luftës për shtet ai ka luftuar për pushtet duke e përdorur shtetin si mekanizëm për ruajtjen e pushtetit. Sidomos pjesën represive të shtetit; policinë, sigurimin shtetëror dhe ushtrinë. Kështu, e ka gjymtuar shpirtërisht njeriun duke e xhveshur nga të gjitha vlerat; kombëtare, morale, njerëzore dhe fetare. Njeriu pa këto vlera nuk mund të krijojë, mbajë e as të mbrojë shtetin. Mund vetëm të shkatërrojë shtetin. Siç ka ndodhur deri më tani dhe siç ka gjasa të ndodhë përsëri. Në mungesë të demokratëve të mirëfilltë edhe demokracia është shndërruar në një proces të degjeneruar. Është shndërruar në një vazhdim të luftës, tash me mjete të tjera. Ashtu siç ka shkruar Klauzeviqi. Në vend se një diktaturë apo autokraci shumë e dhunshme, përmes një zhvillimi më dinamik të shndërrohet në demokraci kemi situatën kur një diktaturë komuniste dhe staliniste është zëvendësuar me një diktaturë autokratike në përmbajtje por me një ambalazhim “ demokratik “. Komunistët e djeshëm dhe besnikët e diktatorit Enver Hoxha brenda natës u konvertuan në demokratë. Ideologjia e vjetër u riciklua në ideologji të re. Shqipëria, në rrugëtimin e saj drejt demokracisë nuk ka kërkuar rrugë të re por ka hecur apo më mirë të them ka qaluar në rrugën njëkahore të Enver Hoxhës. Nuk ka pasur transicion demokratik. Prandaj është përballur vazhdimisht me probleme. Prandaj po përballet edhe tash me probleme. Shqipëria një kohë të gjatë ka qenë peng i duetit Sali Berisha – Fatos Nano. I pari i deklaruar si demokrat ndërsa i dyti si socialist. Ndërkaq që prejardhja e tyre politike dhe ideologjike ka qenë nga i njëjti burim; stalinizmi i Enverit. Politikisht Fatos Nano ka qenë superior ndaj Sali Berishës sikur që është edhe ndaj të gjithë politikanëve tjerë në Shqipëri dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarët dhe kosovarët e Halil Matoshit dhe Nexhit. Inferioritetin politik ndaj Nanos, Sali Berisha është përpjekur ta kompensojë me një politikë folklorike ose me një patriotizëm folklorik. Kjo politikë më shumë ka prodhuar efekte jashtë territorit të Shqipërisë se në vetë Shqipërinë shkaku se” trashëgimia politike dhe kombëtare” e Enver Hoxhës e ka bërë të veten. Ka krijuar politikanë që nuk u ka interesuar shteti dhe kombi por pushteti dhe përfitimet personale. Binomin e Saliut e hoqi nga skena Edvin Rama që nuk la guri pa lëvizur deri e detronizoi nga posti i të parit të Partisë Socialiste. I përdori metodat ndër më të ndyrat për ta larguar Fatos Nanon nga PS. Tash, në vend të Fatosit pjesë degjeneruese e binomit me Saliun u bë Edvin Rama. Ai është një politikan tipik makiavelist që synon pushtetin me të gjitha mjetet. Është një makiavelist i dhunshëm, anarkist. Nëse në fillim të karrierës së tij politike fitoi simpati duke bërë ndryshime në pamjen e Tiranës e cila deri atëherë më shumë i ngjante fshatit Makondo në romanet e Markesit se një metropole ballkanike e lëre më evropiane më vonë u identifikua si një absolutist i ç’akorduar, refuzues ndaj çdo bashkëpunimi dhe kompromisi, si me faktorin politik vendor ashtu edhe ndërkombëtar. U bë katalizator i ngritjeve të temperaturave në Shqipëri me efekte negative edhe në shtetet ku jetojnë shqiptarët dhe kosovarët e shpifur. U shndërrua në gjenerator të krizave që pati për pasojë protesta të shumta që përfunduan me një protestë të dhunshme, me viktima të panevojshme të njerëzve. Si kryetar bashkie bënte thirrje të sulmoheshin institucionet e shtetit shqiptar apo vet shtetin. Kërkonte kurban për hiret e tij dhe dëshirën që me çdo kusht të mbetej aty ku është apo të ngritej një shkallare më lart në kierarkinë politike, të bëhej kryeministër i Shqipërisë. Donte që për trofe ta kishte kokën e Saliut e jo interesin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Pushtetin e donte vetëm për veten e tij dhe jo ta ndante me të tjerët madje as me anëtarët e partisë që e drejton dhe të cilën e përçau duke e përzënë Ilir Dukatin. Në zgjedhjet e parafundit për kryetar Bashkie të Tiranës kishte më shumë se 20.000 vota epërsi ndaj kandidatit demokrat të Sali Berishës. Tash, para se të dalë me rezultate përfundimtare KQZ, autoritet suprem për zgjedhje, Edi Rama shpalli fitoren me 10 vota epërsi ndaj Lul Bashës, kanakarit të Sali Berishës. Merreni me mend, 250.000 vota të numëruara dhe rezultati aq i ngushtë. Kjo tregon për një rënie drastike të popullaritetit të Edvin Ramës. Rama, si slogan mobilizues për protesta që përfunduan me gjakun e të tjerëve dhe jo të tij e pati :” Të hapen kutitë”. Thirrte në protesta gjithëpopullore në mbrojtje të votës duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe vet shtetin. Sali Berisha vetëm veshjen e ka demokratike ndërsa përmbajtjen e ka autokrate. Krejt pushtetin e ka përqëndruar në figurën e tij ndërsa tash, në perëndim të karrierës së tij politike po bënë përpjekje ta vesh me pushtet Lul Bashën të cilin e kontrollon 102 %. Dëshiron një vazhdimësi të “ jetës dhe veprës “ së tij, tash të inkarnuar në personalitetin e Lul Bashës. Edhe ky, si popullist që është thirret në popull. Nuk pranoi me as një çmim t’i hapë kutitë. Tash, pas zgjedhjeve të fundit lokale e kemi një situatë ku rolet kanë ndryshuar. Edvin Rama kërkon që të mos hapen kutitë ndërsa Sali Berisha kërkon që ato të hapen. Ec e kupto tash. Tash nisi riciklimi i protestave “ popullore “ në mbrojtje të votës së” lirë”. Kryepersonazh është përsëri kryetari i PS, Edvin Rama. Protestuesit po bëjnë përpjekje që të hyjnë brenda në KQZ, për t’i mbrojtur votat. I keni parë deputetët socialistë duke fluturuar si fluturake në përpjekje ta kalojnë gardhin e gjallë të policëve. Madje, po i sulmojnë policët duke i lënduar ata që janë të thirrur t’i mbrojnë institucionet e shtetit në përgjithësi ndërsa KQZ në rastin konkret. Keni parë gjithë atë vullnet, gatishmëri dhe sakrificë në mbrojtje të “ votës së lirë “ ta them figurativisht apo pushtetit, ta them realisht. Në vend që deputetët të mbrojnë institucionet e shtetit ata e sulmonin shtetin. Ndjenja për shkatërrim apo vetshkatërrim në Shqipëri dhe në vendet ku jetojnë shqiptarët dhe kosovarët e shpifur është shndërruar në instikt, refleks. Në mënyrë të sjelljes. Në formulë të jetesës. Kam paraparë fitoren e Partisë Socialiste në nivel vendi dhe fitoren e Edvin Ramës në Tiranë. Kam gabuar vetëm në vlerësimin e fitores së Edi Ramës sepse kam menduar se do të jetë shumë më bindëse. Lul Bashën e kam lënë pa gjasa fare. Doli si doli dhe ende nuk i dihet fundi por jam i sigurt se Tirana meriton kryebashkiak më të mirë se Edvin Rama dhe Lul Basha. Një kryebashkiak jopolitik, të pavarur dhe të pandikuar nga politika dhe krimi. Të tillë nuk janë, as Edi Rama e as Lul Basha. Këta dhe ata që janë prapa tyre nuk e duan as popullin e as Shqipërinë sepse për interesa personale duan ta shkatërrojnë Shqipërinë. Emërues i përbashkët i Edi Ramës dhe Sali Berishës është se gjakimi i tyre që me çdo kusht ta ruajnë pushtetin burimin e kanë në mbrojtjen e interesave personale dhe sigurimin e imunitetit ndaj ndjekjes penale. Tjetër interes nuk shoh këtu.
Si e ëma, ashtu edhe e bija : As në Republikën e Kosovës nuk kemi gjendje më të mirë. Edhe këtu politikanët luftojnë për pushtet dhe jo për shtet. Koloriti politik në Kosovë përbëhet prej demokratëve, socialistëve, enveristëve, titistëve dhe anarkistëve. Është edhe një rrymë që është në rritje; rryma projugosllave. Kjo rrymë me hapa të sigurt po rikthehet në pushtet. Këto profile politike identifikohen me popullin, thirren në popull ndërsa skajshmërisht e keqpërdorin popullin. Në bazë të forcës së votës. Edhe në Kosovë partitë politike nuk i luftojnë programet ekonomike, politike, sociale etj. por individët që udhëheqin këto parti. Sulmohet Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti por jo programet e tyre. Në protestat e fundit të organizuara nga Vetëvendosje . të cilat ishin të dhunshme dhe shkaktarë të dhunës ishin protestuesit “ paqësorë “ e jo Policia e Kosovës, kërkesa e drejtuesve të kësaj lëvizjeje ishte dorëheqja e ministrit për Punë të Brendshme, z. Bajram Rexhepi. Ky ishte vetëm pretekst për ta kërkuar dorëheqjen e Hashim Thaçit, si qëllim kryesor ndoshta edhe i organizimit të protestës. Pra, këtyre u duhet koka e Hashim Thaçit e jo ndryshimi i gjendjes në Kosovë. Nëse vërtet Hashim Thaçi qenka pengesa kryesore e të gjitha proceseve pozitive në Kosovë dhe bartës i të gjitha të këqijave, atëherë le ta varrim publikisht dhe t’i rrjepin shtatë palë lëkura . Jeta e një individi është e parëndësishme karshi interesit të shtetit. Qoftë ai edhe Hashim Thaçi. Vetëvendosje. propozon ndoshta Florin Krasniqin në vend të Thaçit apo mbase edhe vet Albin Kurtin. Në rrethanat ekzistuese ka gjasa të ndodhë kjo për aq sa ka gjasa që unë të zgjidhem Papë i Vatikanit.
Loja e Zërit dhe loja e Editës : Që nga fillimi i lojës shpërblyese të Zërit më doli gjaku duke gërthitur këtë gazetë me shpresë se do fitoj ndonjë shpërblim. Duket se jam kandidat shumë serioz ta fitoj shpërblimin kryesor i barasvlershëm me atë që do të fitojë Kosova pas bisedimeve me Serbinë; të trashët e Surlës. Edita është treguar shumë më e mençur se unë, nuk po e gërrithë Zërin por Hashim Thaçin. Me një të gërrithur fitoi 600.000 euro. Sa për fillim. Para të xhepit.
* Dërguar nga autori, titulli i origjinalit “Vallja e korbave në vendin e “Shqiponjave”