Tiranë, 21 maj 2011, NOA – Selia blu ka reaguar këtë pasdite duke deklaruar se nuk mund të ketë asnjë fitues për Tiranën pa u shpallur ende rezultati përfundimtar.
Kjo deklaratë e selisë blu erdhi ndërkohë që pranë KQZ-së janë tubuar qindra simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët po protestojnë për ndryshimin e rezultatit.
Deputeti demokrat Gerti Bogdani deklaroi në konferencën më të fundit për shtyp se “Kjo garë është shumë e ngushtë dhe megjithëse rezultati i tanishëm duket premtues, ende nuk kemi një rezultat përfundimtar, dhe nuk mund të ketë fitues derisa të dalë rezultati përfundimtar. Çdo votë duhet të numërohet, dhe zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet. Por Edi Rama duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër”, theksoi Bogdani.
“Pse është përpjekur Edi Rama ta shpallë veten fitues, në fillim para se të numëroheshin të gjitha kutitë për Kryetar Bashkie, dhe më pas pa u numëruar çdo votë”, apeloi deputeti demokrat.
Ai iu referua edhe faktit se Edi Rama ka deklaruar se raporti i ODHIR-it e shpall atë fitues, ndërkohë që sipas Bogdanit “raporti i ODHIR-it vetëm thotë se Edi Rama e ka shpallur veten fitues, dhe se procesi zgjedhor duhet të vazhdojë.
Sipas Bogdanit Edi Rama që i ka thurur lavde sundimit të ligjit ka bllokuar rrugët duke djegur goma dhe ka rrethuar KQZ-në vetëm për të ndalur në mes procesin e numërimit të votave.
“Pse ka bere Edi Rama akuza absurde për vota të manipuluara, ndërsa të gjitha fletët e votimit kanë vulën dhe nënshkrimin e komisionerëve të tij, dhe të gjitha kutitë u vulosën sapo u mbyll numërimi fillestar dhe më pas u hapën, vlerësuan dhe numëruan drejtpërdrejt në televizion", tha deputeti Bogdani duke theksuar se Edi Rama po tenton të mbytë zërat e qytetarëve pasi ka frikë nga numërimi i çdo vote.
mit/NOA