Romë, 21 maj 2011, NOA - Protestat e fundit të opozitës kanë sjellë dhe shtimin paralajmërimeve të vendeve të BE për qytetarët e tyre që jetojnë në Shqipëri.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është Italia ajo që njofton qytetarët të saj që janë në Shqipëri, ose që kanë ndërmend të udhëtojnë gjatë sezonit turistik, që të shmangin qytetet ku zhvillohen mitingjet e opozitës.
Njoftimi për situatën në Shqipëri, shoqërohet me njoftimet edhe për rreth 20 vendete të tjera që janë në gjendje lufte, si, Burkina Faso, Libia, Tunizia, Izraeli, Burundi, Sierra Leone, etj.
Në njoftimin e publikuar Drejtoria e Ministrisë së Jashtme italiane, në uebin e posaçëm për udhëtimet e qytetarëve italiane, www.viaggiaresicuri.it, theksohet se duhen shmangur kalimet në vendet dhe qytetet ku ka probleme.
“Për shkak të tensionit politik që po karakterizon fazën post-elektorale në Shqipëri, ka mundësi të zhvillohen protesta të reja, jo vetëm në Tiranë, por edhe në zonat e tjera të vendit, madje dhe me bllokime të rrugëve në akset kombëtare. Ftohen qytetarët italianë që tu shmangen tubimeve dhe të jenë në kontakt me zhvillimet e fundit për të marrë masat e duhura”, thuhet në njoftimin e sektorit të ministrisë së Jashtme Italianë që kujdeset për qytetarët që jetojnë dhe udhëtojnë në vende të tjera.
e.t/NOA