E sikur lideri socialist ta dëgjonte këshillën e ambasadorit Arvizu për pushimin e Braçes, sigurisht Shqipëria sot nuk do të mbulohej nga tymi i gomave, për ta errësuar edhe më perspektivën e integrimeve evropiane. Një Shqipëri në sytë e Braçes vërtet duket shumë e frikshme dhe shumë e pa perspektivë
Nga Bardh Frangu
Shoh në Facebook një shqetësim të albanologut suedez, Ullmar Qvick, i cili që nga Skandinavia përcjell zhvillimet e fundit në Shqipëri që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit. Miku i shqiptarëve ka mbetur i habitur me sjelljen e deputetëve socialistë. Pamjet brenda dhe jashtë KQZ-së i ka vlerësuar si një cirk. Qvick ka konstatuar se sjelljet e politikanëve shqiptarë në vendin e tij do të përbënin skandal të njëmendët dhe si të tillë këta politikanë nuk do të kishin gjasa të vazhdonin me politikë.
Sigurisht që albanologu Ullmar Qvcik ka dashur që nëpërmjet facebook-ut të ndajë shqetësimin me miqtë e tij shqiptarë, ndryshe nuk ka mundur ta habisë dhe shumë kjo sjellje e politikanëve shqiptarë, ndërsa në librin e tij për shqiptarët “Më shumë heroizma se sa grurë” ka dëshmuar se është njohës i mirë i zhvillimeve politike dhe kulturore, por edhe i etnopsikologjisë së shqiptarëve, duke e vlerësuar atë në kontekstin historik, për të nxjerrë në këtë mënyrë konstatimin se shqiptarët, krahasuar me suedezët, janë diku rreth dyqind vite pas.
Sigurisht që kjo vonesë e konstatuar me të drejtë nga Qvick edhe flet më së miri për zhvillimet aktuale në Shqipëri. Po nuk ishte sall ky shqetësim i albanologut suedez që u bë shkas për këtë shkrim. Të lidhur për sistemin kabllor, qytetarët e Kosovës këto ditë me ankth qëndrojnë pranë dy dritareve televizive të dy kampeve politike në Shqipëri. Edhe nëpër kafene, të cilat vlerësohen si sallon i popullit, nuk diskutohet gjë tjetër pos për këto zhvillime. Në fakt këto ditë as që i interesojnë kujt zhvillimet në Kosovë. Nuk qanë kokën kush as për deklaratat e Nazim Bllacës, Gani Gecit, Azem Sylës a Sokol Dobrunës, sikundër as për deklaratat gjithnjë e më të shpeshta e gjithnjë e më serioze për ndarjen e Kosovës.
Jo se këto nuk përbëjnë ndonjë lajm për Kosovën e ngulfatur nga problemet më të ndryshme, por pse, pos interesimit të natyrshëm, paketimi i lajmeve nga Tirana na vije si shumë më atraktiv. Në fakt mediet në Shqipëri ka kohë që kanë dëshmuar se nuk janë pushtet i katërt, por pushtet i parë. Nga to udhëhiqet politika aktuale edhe qeveritare, edhe opozitare. Në këtë aspekt Shqipëria bën një shembull të paparë e të padëgjuar. Motiv shtesë për këtë shkrim u bë edhe dëshpërimi i mësuesit plak, i cili që nga djegia e Shqipërisë së vitit 1997 ishte betuar se kurrë nuk do ta shkelte me këmbë këtë vend, të cilin e kishte dashur aq shumë. Ky vit i mbrapshtë ia kishte djegur edhe ëndrrën mësuesit, për ta lënë që të jetonte me hirin e saj.
Sigurisht që hero i këtyre ditëve edhe në Kosovë është bërë deputeti socialist Erion Braçe. Të gjithë e njihni këtë deputet të Partisë Socialiste të Shqipërisë. I vogël me shtat, i lehtë me peshë, me sy zhbirues, por me një zemër det urrejtjeje. Braçe duket të jetë ekzemplari më i dukshëm nga radhët e ish pionierëve të Partisë së punës, të cilët janë rritur duke kultivuar urrejtjen klasore, frutat e të cilës vazhdojmë t’i shijojmë dëshpërueshëm edhe sot e kësaj dite.
Ky tip bën megafonin më të fuqishëm të së majtës në Shqipëri. Gjuha e tij si e nepërkës, ka bërë që të ngjallë aversion të paimagjinueshëm tek shqiptarët e Kosovës. E nëse është aksiomatik fakti se gjuha është mjeti më identifikues i individit, ndërsa Braçe gjithnjë flet në emër të partisë së tij, kjo nënkupton faktin se Partia Socialiste e Shqipërisë vazhdon traditën e paraardhëses se saj (Partisë së Punës) në mbjelljen dhe kultivimin e urrejtjes në shkallë patologjike.
Dikush mund të provojë të arsyetojë këtë luftë të ashpër të së majtës për pushtet me faktin se ata përballen me një klasë antikomunistësh po aq të egër. Megjithatë kjo nuk qëndron, sepse duhet pasur parasysh faktin se Shqipëria është i vetmi vend nga kampi i ish komunizmit që ende nuk ka bërë një prerje ligjore me të kaluarën e saj të egër. Logjika e pushtetit parti është e dukshme në këtë vend njësoj siç janë të dukshëm edhe bunkerët, që për një kohë të gjatë nuk do të hiqen nga faqja e këtij vendi. Për këtë edhe nuk u bë ligji për lustrimin, kaq i nevojshëm për një prerje të dukshme nga e kaluara tepër e hidhur.
Prandaj sot në politikë, në drejtësi, në media e ku jo tjetër janë në pozita të fuqishme ata që janë të identifikuar si pjesëmarrës në krimet monstruoze të regjimit të egër komunist. Në kontekst të gjithë kësaj që u tha reflektoi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ai me ironi tha se gjatë vëzhgimit të numërimit të votave, në një kuti ka parë edhe një votë për Hysni Milloshin! Arvizu, me një gjuhë të kultivuar diplomatike, kërkoi edhe nga lideri socialist, Edi Rama, që ta pushonte Erion Braçen, i bindur se gjuha e deputetit socialist po pikonte benzinë për djegien e këtij vendi.
Po për fat të keq kjo këshillë kaq dashamirëse e ambasadorit amerikan nuk shkrepi në logjikën piromane të liderit socialist, përkundrazi, Braçes iu bashkuan edhe deputetët tjerë socialistë, të cilët u sulën ashpër mbi policinë e shtetit, e cila nuk bën gjë tjetër pos ruan rendin dhe sigurinë të sanksionuar nga ligjet që i kanë bërë po këta deputetë, të cilët një kohë bërtitën dhe bllokuan rrugët me motivin për hapjen e kutive, për çka edhe shkaktuan viktima në njerëz, ndërsa tash bërtasin dhe bllokojnë rrugët për mos hapjen e kutive! Madje nuk duan të hapen as ato kuti ku gabimisht ka hedhur votën edhe presidenti i shtetit, Bamir Topi!
Sigurisht që këto veprime jakobiniste të tyre po i shfrytëzon në mënyrë të paskrupullt lideri i pozitës, antikomunisti Sali Berisha, i cili është i vetëdijshëm njësoj si Rama se në politikë mund të qëndrojë vetëm nëpërmjet konflikteve të hapura, të cilat, të udhëhequra nga mediet, kanë kontaminuar gjithë këtë vend të shqiponjave. Logjika e prodhimit të armiqve është një logjikë e bartur që lehtësisht lexohet në sytë e të dy liderëve. Ndryshe të gjithë ata që kanë lexuar me kujdes votën e zgjedhjeve të fundit humbësit më të mëdhenj kanë dalë të jenë Berisha dhe Rama.
Në fund, duhet thënë se është fat i madh që shqiptarët në historinë e tyre kanë pasur gjithmonë mbështetjen e SHBA-ve, kësaj force demokratike, për të cilën Papa Gjon Pali i Dytë është shprehur duke thënë se Zoti e ka krijuar këtë shtet për të vënë paqen dhe demokracinë në botë. Siç u pa edhe në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, ishte ambasadori amerikan Arvizu, ai i cili u angazhua me gjithë qenien e tij që procesi zgjedhor të mos dështonte që në start.
E sikur lideri socialist ta dëgjonte këshillën e ambasadorit Arvizu për pushimin e Braçes, sigurisht Shqipëria sot nuk do të mbulohej nga tymi i gomave, për ta errësuar edhe më perspektivën e integrimeve evropiane. Një Shqipëri në sytë e Braçes vërtet duket shumë e frikshme dhe shumë e pa perspektivë.
Shenim: Qendrimet e shprehura nga autori, nuk perfaqesojne domosdoshmerisht vijen editoriale te NOA