Tiranë, 21 maj 2011, NOA- Ndërsa pritet që të fillojë mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila u lajmërua të fillonte në orën 10.00 të mëngjesit të sotëm, simpatizantë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë nisur të grumbullohen rreth tij.
Nga Fieri, Vlora, Berati, Elbasani e nga qytetet të tjera dhjetëra autobusë kanë zbarkuar në Tiranë, për t’iu bashkuar nismës së socialistëve për të kundërshtuar tjetërsimin e rezultateve të zgjedhjeve për kryeqytetin.
Në vijimësi nga ana e përfaqësuesve të PS-së u është bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në këmbë për të mbrojtur votën e tyre, pas kërkesës së Partisë Demokratike ndaj KQZ-së për konsiderimin si vota të vlefshme për kryetar bashkie të Tiranës ato që u gjetën gjatë numërimit në kutitë e gabuara, në ato për kryetar minibashkie.
Sakaq nuk dihet se cila do të jetë ecuria e saj, por nga ana e policisë janë marrë masat duke e rrethuar KQZ-në me efektivë policorë në formë muresh të improvizuar.
Edhe pse duhej të kishte nisur rreth një orë m parë mbledhjen, aktualisht KQZ nuk i ka nisur ende punimet.
a.y/NOA