English

Të hënën nisin Lojrat Olimpike Speciale, me praninë e 300 garuesve

Tiranë, 21 maj 2011, NOA- Ditën e hënë nisin Lojrat Olimpike Speciale 2011 në Shqipëri, me synim dhënien e mbështetjes ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuara intelektuale përmes integrimit të tyre në aktivitetet social-sportive.

Flaka Olimpike që simbolizon hapjen e këtyre lojrave, do ndizet të hënën paradite në orën 11.00 në selinë e Presidencës nën kujdesin dhe praninë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe do qëndrojë e ndezur në datat 23-25 Maj në ambientet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, ku do të zhvillohen aktivitetet sportive dhe garat mes tyre.

Në Lojërat Olimpike Speciale Shqipëri mësohet se do të marrin pjesë më shumë se 300 atletë nga i gjithë vendi, të cilët përfaqësojnë 14 skuadra, nga rrethe të ndryshme, në 6 disiplina sportive; futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, atletikë, dhe bowling.

Theksohet se këta atletë i bashkohen më shumë se 2 000 000 atletëve në mbarë botën, në Lëvizjen Olimpike Speciale.

Ky është viti i katërt i organizimit të këtyre lojërave në Shqipëri dhe organizimi i tyre për të katërtin vit rresht mbështetet nga Fondacioni Vodafone Albania.

a.y/NOA

KOMENTE