Tiranë, 21 maj 2011 NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka zhvilluar të shtunën në mesditë një takim me trojkën diplomatike, ambasadorin amerikan, atë të BE dhe shefin e prezencës së OSBE-së. Takimi që ka patur në fokus situatën e tensionuar paszgjedhore në Shqipëri është zhvilluar rreth 100 metra larg nga selia e KQZ-së ku deputetë dhe mbështetës të opozitës zhvillonin një protestë paqësore.
Pas takimit Presidenti Topi në prezencë dhe të ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, atij të BE-së Etore Sequi dhe shefit të prezencës së OSBE-së, ambasadorit Eurgen Wollfarth shprehu shqetësimin, siç tha ai, “për rritjen e emocioneve politike, për ato episode, të cilat nuk janë të këndshme për asnjë vend dhe aq më shumë për një vend anëtar të NATO-s!”.
Kreu i shtetit iu drejtua politikës që t'i kthehen ndërgjegjes civile, dhe ti trajtojë gjërat sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe të mos krijojë asnjë lloj situate tensioni. “Sidomos sot është shumë e rëndësishme që njerëzit t'i drejtohen këtij momenti që është substancial për demokracinë shqiptare. T'i drejtohen ligjit dhe vetëm ligjit!”, tha Presidenti.
Duke pranuar kompozimin e KQZ-së, sipas ligjit, me përfaqësues të propozuar nga politika, Bamir Topi, kujtoi detyrimin e komisionerëve përballë Kushtetutës dhe kodit elektoral, por dhe si detyrim moral para të gjithë qytetarëve, të cilët, sipas tij, e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë korrekte. Presidenti e lidhi procesin zgjedhor dhe me ambicien e vendit për integrimin e vendit në BE.
“Në Evropë ne nuk shkojmë për disa politikanë. Në Evropë ne shkojmë për të gjithë popullin shqiptar”. Thuajse në një kohë që përfundoi takimi mes presidentit dhe trojkës diplomatike është mbyllur dhe protesta para selisë së KQZ, që sipas organizatorëve do të rinisë pas disa orësh. Përreth godinës së KQZ-së ka patur forca policore dhe njësi të ndërhyrjes speciale për të siguruar rendin dhe mbarëvajtjen e mbledhjes së Komisionit.