Nju Jork, 22 maj 2011, NOA - Ish kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss Kahn do të deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për përdhunim. Kështu është shprehur avokati i tij mbrojtës për një të përditshme izraelite, me bindjen se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm.
“Do të deklarohet i pafajshëm dhe në fund do të shpallet i pafajshëm”, ka deklaruar për gazetën Haaretz avokati i tij, Benxhamin Brafman në të parën intervistë të tij, që pas arrestimit të Strauss Kahn, i akuzuar për ngacmim seksual të një kamariereje në një hotel të Nju Jorkut.
Brafman është i sigurtë se Strauss Kahn është gati të nisë një betejë të gjatë ligjore.
Sipas avokatit, klienti i tij është gati të përballet me akuzat, por nuk mund të pranojë diçka që nuk e ka bërë.
Brafman nuk dha më tepër detaje për mbrojtjen e ish-kreut të FMN-së, por hodhi poshtë publikimet në disa të përditshme franceze, sipas të cilave, Strauss Kahn ka varësi nga seksi.
“Nëse Strauss Kan nuk do ishte një person kaq i njohur, gjykata nuk do të kërkonte një shumë marramendëse për gjykimin e tij në gjendje të lirë”, tha Brafman.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm francez, Klod Gean ka deklaruar se do të pranojë kërkesën për vuajtjen e dënimit të ish-kreut të FMN-së në Francë.
“Nëse ish-kreu i FMN-së do të dënohej dhe do të kërkonte ta vuante dënimin e tij në Francë, qeveria franceze do ta pranonte kërkesën e tij”, shtoi Gean.
mit/NOA