English

Dade: Basha nuk tërhiqet se do ikë bashkë me Berishën

Tiranë, 22 maj 2011, NOA – Deputetja socialiste Arta Dade ironizoi sot përgjigjen e kandidatit demokrat për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha dhënë shkrimtarit Ismail Kadare, duke deklaruar se Basha nuk tërhiqet pasi do ikë nga pushteti bashkë me kryeministrin Berisha, që e promovoi si politikan.

Duke iu referuar letrës së hapur të Bashës deputetja socialiste tha gjatë protestës së opozitës pranë KQZ-së se Basha është i pafytyrë andaj iu përgjigj me mostërheqje Kadaresë.

“Luli ka fytyrën sot t’i përgjigjet Kadaresë, t’i thotë se nuk tërhiqet. Sigurisht që nuk tërhiqet sepse Luli do iki bashkë me zotin e vet, me Saliun. Saliu e mori prej dore si një kukull prej lecke, e vuri që të vidhte fondet e rrugës patriotike”, tha deputetja Dade.

Sipas saj ishte kryeministri Berisha ai që e mësoi Bashën të mashtronte përpara drejtësisë.

Ish-kryediplomatja në kohën e qeverisjes së kryeministrit socialist Fatos Nano, pohoi po ashtu se ishte “Berisha që e mësoi Bashën se si të nënshkruante aktin antikushtetues për detin që ia dha Greqisë dhe prapë e mësoi të mos dorëhiqej pasi Gjykata Kushtetuese e dënoi”.

Deputetja socialiste e akuzoi kandidatin Basha se ishte po ai që kur drejtoi Ministrinë e Brendshme vodhi listat e zgjedhësve duke sjellë në Tiranë mbi 50 mijë lakenj të Sali Berishës.

mit/NOA

KOMENTE