Tiranë, 22 maj, NOA – Pas nisjes së protestës së opozitës e kanë marrë fjalën deputetët e Partisë Socialiste dhe përfaqësues të partive që janë pjesë e koalicionit të majtë. Deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade u shpreh se kryeministri Sali Berisha është një politikan antishqiptar që nuk kërkon integrimin e vendit dhe as më të mirën për qytetarët e vendit të tij.
“Saliu është antishqiptar por është dhe antieuropian. Europa kërkon votën e lirë dhe antikorrupsionin, ndaj dhe Saliu nuk e kërkon Europën”, tha Dade gjatë fjalës së saj para protestuesve.
Deputetja e PS-së u ka bërë apel dhe drejtuesve të forcave të rendit që të zbatojnë ligjin dhe të mos dhunojnë protestuesit.
“Kam një mesazh për policinë, jo për policët e thjeshtë sepse ata janë me ne. Kam një mesazh për shefat e policisë, të rrinë larg nga protestuesit, ata nuk merren dot me ne me deputetët, ndaj merren më protestuesit”, tha Dade.
a.k/NOA