English

Dasma pa nuse

Nga Agron Tufa

Heshtja parazgjedhore nga 6 deri më 8 maj (nëse njëmend sforcohemi ta quajmë heshtje), pasoi nga bunaca postelektorale, që zgjati një javë torturuese. Një ndërkohë e mbushur me ethe, tifozllëk dhe ankth. Ndryshe nga herët e tjera, falë edhe pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë, dufi militantesk mbahej me shpirt ndër dhëmbë, derisa në ditën e shtatë të zgjedhjeve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe botën shqiptare, njerëzit ngrinë para ekraneve duke ndjekur live kutitë e fundit në numërim. E kanë quajtur “derbi”, e kanë quajtur “dyluftim për jetë a vdekje e ç’nuk e kanë quajtur…përballjen elektorale Basha-Rama. Nuk do të ishte keq ta krahasonin edhe me ndeshjen për jetë a vdekje të një çifti gladiatorësh në një teatër antik. Por, gjithsesi, ndonëse u harrua, i gjithë ky ankth dhe patos retorik qe vetëm se një episod final i zgjedhjeve vendore, i cili, lavdi Zotit, deri më tash ka kaluar pa ndonjë acarim publik që të mund të përfshinte mbarë vendin. Ama, e theksova – “deri tash”, sepse pritshmëritë, nga sa u pa prej reagimeve fill pas numërimit të fletëvotimit të fundit, nuk janë aspak të mira. Festa frenetike i përfshiu palët, të dyja njëkohësisht. Të detyruara prapë me një “heshtje shtesë”, deri në shpalljen zyrtare të rezultateve nga KQZ-ja, palët mbledhin thërrimet fundit të durimit, ndërkohë që “krushqia” socialiste e ka nisur menjëherë “dasmën” e saj “pa nuse”. Dhe “dasma pa nuse” në traditën tonë popullore lidhet me “dasmat e mortit”, me oguret ndjellazeza, që kanë domethënien e përbetimeve, kërcënimeve dhe shantazheve. Psikologjikisht kjo atmosferë kërcënimi u dëgjua gjatë gjithë ditës së sotme nga politikanë të kampit socialist. Psikologjikisht, pala që vetëshpalli “dasmën pa nuse”, e ka futur paraprakisht veten në një borxh përbetimi para se t’u jepej fjala e fundit e “familjes” që jep. Psikologjikisht, përllogaritja e kësaj dasme pa nuse ia heq arbitrarisht të drejtën pretendentit tjetër dhe “krushqve” të pretendentit tjetër duke instaluar paradhënie një fyerje të hamendësuar, ani pse “prindërit” e nuses ende nuk kanë nxjerrë fjalë prej goje. Në këtë metaforë dhe analogji e shoh festën në oborrin e shtëpisë së socialistëve. Është një festë e parakohshme, përderisa ende nuk është legjitimuar si festë. Psikologjikisht, kjo do të thotë një gjë të padiskutueshme: socialistët janë të “armatosur deri në dhëmbë” të mos e pranojnë humbjen, në rast se kjo iu shpallet, ashtu siç i takon, me shifra. Sepse përgjatë dy vitesh e kanë prezantuar veten gjerësisht me imazhin e viktimës. Socialistët duan fitore në tavolinë. Duke ndjekur ligjërimin e të ftuarve-ekspertë nëpër studiot e ekraneve të opozitës, ky aspekt psikologjik theksohej me të madhe. Dhe kush pale… vetë Iirian Celibashi, një ndër kryemasakruesit e zgjedhjeve të periudhës 1997-2001! A duhet të bjerë pre institucioni i KQZ-së, i reformuar nga të dyja palët politike? E sigurt është trysnia e madhe, pasi, si minimum, ne e kemi parë të sulmohet, ende pa u numëruar votat nga politikanët socialistë (Erion Braçe). Në kushtet e një fitoreje tepër të ngushtë, nga një deri në disa dhjetëra vota, këtij institucioni kushtetues i bie barra delikate të japë shpjegime të sakta, të mbështetura e të argumentuara në ligj e në shifra. Që të mos mësohemi me “dasma pa nuse” dhe që sindroma e dasmave pa nuse të mos bëhet kulturë tjetër sunduese në sjelljen tonë politike, duke i shtuar traditës së saj famëkeqe edhe një aspekt tjetër absurd, duhet të zbardhen të gjitha detajet, qoftë (mos e dhëntë Zoti), tekefundit, edhe numërim i sërishëm i të gjithë votimit për kryeqytetin. Nuk dua personalisht asnjë votë të papastër, pasi ajo do t’i lëshonte hije vullnetit të votës sime, sikundërse nuk do të doja kurrë të cenohej po ky vullnet i shprehur përmes votës sime. E konsideroj tepër higjienik moralin e votës sime (sikundër e marr të mirëqenë për vullnetin e çdokujt tjetër), pavarësisht polarizimit të skajshëm militantesk në të dyja kampet. Partitë dhe liderët e tyre mund të bëjnë llogaritë e kalkulimet e tyre, të cilat, me përbërjen e logjikave të tyre, në njëfarë kuptimi, edhe mund të mos përputhen plotësisht me logjikën tonë të thjeshtë e të pastruar nga të gjitha ngarkesat e “historive” partiake. Vota e qytetarit, e majtë apo e djathtë, është vota për administratorin e ardhshëm më të suksesshëm. Së paku, kështu mendoj se duhet të jetë në idealitet, pasi çdo ngarkesë tjetër nuk do t’i bënte asnjë nder. Garantuesi i kësaj pastërtie, qartësie dhe ndershmërie të vullnetit të shprehur në këtë mënyrë, duhet të jetë KQZ-ja, si e vetmja instancë kushtetuese që na sheh të barabartë përpara ligjit. Por, nëse kjo garanci e të gjithëve shantazhohet, kërcënohet njëkahshëm dhe vihet në kontekstin e një “lufte” civile gati në shpërthim, fill pas deklarimit të rezultatit, atëherë zgjedhjes sonë të lirë i imponohet diktati i shantazhuesit. A do të mundet vallë KQZ-ja të demonstrojë karakter, dinjitet, profesionalizëm dhe pandikueshmëri nga të gjithë këto vrunduj kanosës retorike që paralajmërojnë mllefin e mbajtur ndër dhëmbë? Mbetemi ta mësojmë, megjithëse prologu i “dasmës pa nuse” nuk sugjeron asgjë të mirë.

KOMENTE