English

FMN pas Dominique Strauss-Khan

Nga Harold James*

Si ka rënë kështu i gjithëfuqishmi Fond Monetar Ndërkombëtar? Më shumë se një dekadë më parë, revista franceze “Paris Match” publikonte një fotografi të drejtorit të atëhershëm menaxhues të Fondit, Michel Camdessus, me titullin: “Francezi më i pushtetshëm në botë”. Sot, pasardhësi i tij, Dominique Strauss-Khan (DSK), me fotografitë e tij me pranga në duar dhe kokën ulur nëpër ballinat e gazetave gjithandej, është francezi më i turpëruar në botë. Një prej rezultateve të papritura të skandalit seksual të DSK-së në New York është se tani çështja e pasardhësit të tij po tërheq interesimin e madh të publikut, duke u shndërruar në shqetësim. Në të vërtetë, skandali ka nxjerrë në pah disa probleme themelore në lidhje me qeverisjen e FMN-së, e madje edhe për ekzistencën e tij. DSK ka tentuar ta rikthejë FMN-në në një doktor të financave globale, në vend të një polici. Në lehtësimin apo parandalimin e krizave financiare, sidoqoftë, ndonjëherë policët janë të domosdoshëm. Momentalisht, kombinimi i ekseseve ende evidente në sektorin financiar dhe në financat publike në shumë shtete kërkon në disa raste veprime vërtet të ashpra policore. Një organizatë është gjithnjë më e fuqishme se një person i thjeshtë, që rastis ta udhëheqë atë, por një figurë e dobët apo e politizuar në krye të asaj organizate mund të shkaktojë dëm të madh. Fatkeqësisht, pothuajse gjysma e drejtorëve të mëparshëm menaxhues të FMN-së kanë qenë ose të dobët ose tepër politikë – ose që të dyja bashkë. Dy drejtorët e parë menaxhues të FMN-së, belgu Camille Gutt dhe suedezi Ivar Rooth, kanë qenë që të dy figura të dobëta. Ç’është e vërteta, Fondi pothuajse u zhduk në harresë nën drejtimin e tyre. Dy drejtorët më të fundit të FMN-së para DSK-së, një gjerman dhe një spanjoll, ishin po ashtu të dobët. Horst Köhler, i caktuar në vitin 2000, e nisi mijëvjeçarin me të dhëna të këqija. Ai pat qenë një sekretar me influencë në Ministrinë gjermane të Financave, para se të zgjidhej shef i Shoqatave të kursimeve bankare. Kancelari i atëhershëm i Gjermanisë, Gerhard Schröder, këmbënguli që të emërohej një gjerman në krye të Fondit, mirëpo Köhler gjithnjë ishte një kandidat dytësor dhe i papranueshëm. Ai dha dorëheqjen më 2004, për të garuar si kandidat i Angela Merkelit për detyrën kryesisht ceremoniale të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, detyrë kjo të cilën e kreu me trille derikur dha papritur dorëheqjen. Pasardhësi i Köhlerit, Rodrigo Rato, ka qenë lider i partisë spanjolle të qendrës së djathtë, e cila u mposht papritur në zgjedhjet e përgjithshme të 2004-s nga kryeministri aktual José Luis Rodríguez Zapatero. Ai u dërgua në Washington në kuadër të një çmimi ngushëllues dhe kurrë nuk ka qenë vërtet i lumtur atje. Kështu ndikimi i FMN-së u zbeh dhe ai e dha dorëheqjen në vitin 2004 “për shkaqe personale”. Edhe DSK po ashtu e nisi drejtimin e tij në FMN, si një politikan në ekzil, pasi u shfaq si kundërshtari më i frikshëm i presidentit francez Nicolas Sarkozy. Sarkozy dhe strategët e tij, pa dyshim, menduan se dërgimi i DSK-së në FMN, organizatë kjo që para krizës globale financiare dukej si e parëndësishme dhe margjinale, ishte një puç i mrekullueshëm. Ata madje kalkuluan se jeta e tij private do të mund të shkaktonte tronditje në një shtet që është edhe më puritan edhe më epshor se Franca. Mirëpo pasi FMN-ja u rishfaq më 2008 si një institucion qendror global, me DSK-në që dukej se po e riorientonte me aftësi të konsiderueshme politike dhe ekonomike, ai përsëri filloi të konsiderohet si një kërcënim për rizgjedhjen e Sarkozy-së. Angazhimi i fuqishëm i FMN-së në zgjidhjen e krizës së borxheve të Europës i shton një tjetër element ndërlikueshmërisë politike. Joeuropianët dyshuan se europianët po përfitonin nga marrëveshjet e favorshme nën politikanin francez të shndërruar në ekonomist, i cili dëshironte kthimin në politikë. Dhe disa europianë shqetësoheshin se Fondi po mbante anë në përçarjen e polarizuar ndëreuropiane lidhur me atë sesi duhen ndarë kostot e krizës financiare. Emërimet e fundit në drejtimin e FMN-së janë miratuar pas bisedimeve të nivelit të lartë ndërmjet qeverive europiane. Tani ekziston nevoja për t’u përballur me logjikën e diskredituar politike që nxit vendime të tilla. Rregulla se drejtori menaxhues i FMN-së duhet të jetë një europian nuk është e shkruar askund, e aq më pak në nenet themeluese të FMN-së. Në të vërtetë, madje edhe në vitin e largët 1973, ka pasur mbështetje të konsiderueshme për një kandidat joeuropian, Roberto Alemann, ekonomist i shquar dhe ish-ministër i Ekonomisë i Argjentinës. Historia e FMN-në është po ashtu edhe tregues i asaj se ç’lloj figure punon në mënyrë më produktive në Washington. Asnjëri prej tre drejtorëve më të fuqishëm dhe me ndikim nuk ka qenë politikan apo ministër. Per Jacobsson, ekonomist suedez që e nxori Fondin nga errësira në vitet ‘50, ka qenë zyrtar në Bankën për Ujditë Ndërkombëtare me seli në Bazel. Si kryeekonomist i BIS-it në vitet ‘30, Jacobsson diti si t’i përdorte analizat ekonomike si bazë për ndikim. Jacques de Larosière dhe Michel Camdessus ishin shërbyes civilë francezë, të cilët i kombinonin ekspertizat teknike dhe menaxheriale me një vizion të qartë rreth asaj sesi ekonomia botërore do të duhej të operonte. Sot, problemi gjithnjë e më i madh strategjik i botës është që të përshtatet në një gjeografi të re ekonomike dhe politike, në të cilën pesha e ekonomisë globale zhvendoset më nga lindja dhe jugu. Është tunduese të konstatohet se caktimi i një figure me lidhje të shumta nga një ekonomi në lulëzim mund të zgjidhte problem. Mirëpo, një përfundim i tillë do të ishte përsëritje e mënyrës së vjetër të të menduarit, kur nevoja kryesore ishte ndërmjetësimi i influencave ndërmjet Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Caktimi i një ikone politike aziatike thjesht do ndryshonte emrat e aktorëve, por nuk do të rishpikte lojën. FMN-ja ka nevojë për një drejtor menaxhues, i cili tejkalon logjikën politike dhe mund të skicojë ekonominë e rendit të ri global. I ardhshmi duhet të jetë një lindor, e jo një perëndimor, një ekonomist dhe jo një politikan, një vizionar dhe jo një strateg. *Harold James është profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe profesor i Historisë në Institutin Universitar Europian, në Firence.

KOMENTE