Prishtinë, 22 maj, NOA - Autoritetet kosovare kanë mohuar mundësinë që modeli i bashkëpunimit midis dy Gjermanive, i përmendur nga presidenti serb, të mund të aplikohet edhe në raportet Kosovë-Serbi. E përditshmja Koha Ditore, në një tekst analitik, sot i referohet kësaj teze duke ju referuar qëndrimeve të politikanëve të ndryshëm kosovarë. Ministri Enver Hoxhaj e ka quajtur model të luftës së ftohtë, që nuk mund të jetë shembull për përmirësimin e ndonjë raporti në Ballkan. E ish-ministri Skënder Hyseni ka theksuar se modeli në esencë nënkupton që një ditë Kosova dhe Serbia do të mund të bashkoheshin. Megjithëkëtë, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka treguar se, që modeli të implementohet, nuk është e thënë të ketë bekimin e të dyja palëve.
Sipas gazetës, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, në emër të treshes ndërmjetësuese (amerikanit Frank Wisner dhe rusit Alexander Bozan-Chartschonko), për arsye se Kosova konsiderohej problem evropian, për t’i dhënë zgjidhje problemit ai kishte propozuar një zgjidhje sikur që kishte pasur shteti i tij që Lufta e Dytë Botërore e kishte lënë të ndarë – modelin e raporteve që kishin ndërtuar dy Gjermanitë para se të bashkoheshin, duke mos njohur pavarësinë e njëra-tjetrës, por duke zhvilluar marrëdhënie të rregullta ndërfqinjësore.
Një nga 14 pikat e propozuara nga treshja që konsiderohej të mos kontestoheshin nga pala kosovare dhe ajo serbe, ishte se “Serbia nuk do të kishte autoritet qeverisës mbi Kosovën”.
Megjithëkëtë, pikat e prezantuara ishin kontestuar dhe modeli i të dy Gjermanive nuk ishte pranuar nga palët. Tash, rreth katër vjet pas dhënies së këtij propozimi, kur ka nisur një proces i ri dialogimi, Serbia ka shprehur pajtueshmërinë me modelin e Ischingerit.
Boris Tadiq, president i Serbisë, ka thënë se si një nga zgjidhjet mund të jetë ky model “që nuk ka të bëjë me angazhimin e Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, por lë hapësirë për të adresuar shumë probleme jetësore që rëndojnë mbi dy popujt”.
Mirëpo, siç shruan Koha Ditore, Prishtina zyrtare ka refuzuar formën e bashkëpunimit Kosovë-Serbi, të propozuar nga presidenti serb.
NOA/Koha Ditore