English

KQZ numëron votat e kontestuara, Basha 170 vota, Rama 81 vota

Tiranë, 22 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinisi të hapë kutitë me fletë të kontestuara të minibashkisë nr. 5.

Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ritheksoi se do të numërohet çdo votë e vlefshme e zgjedhësve e panumëruar ende.

E para u hap kutia 18/18 e mbërritur nga KZAZ-ja nr. 49 e njësisë 5, ku ndodhej një votë e vlefshme për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.

Edhe në kutinë tjetër me numër 18/23 ishte vetëm një fletë e kontestuar, e cila ia adresonte votën kandidatit të majtë për kryebashkiak Edi Rama, si dhe një votë për Aleancën Demokratike e vlefshme për Këshillin Bashkiak.

Deri më tani kur janë numëruar 115 kuti me fletë të kontestuara, Lulzim Basha ka marrë 170 vota, ndërsa Edi Rama 81 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon sakaq numërimin e votave të kontestuara në kutitë e tjera.

Pritet që gjatë seancës së sotme në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, të numërohen mëse 12 kuti me fletë të kontestuara, të gjitha të njësisë bashkiake nr. 5.

Ndërkohë përfaqësuesit e opozitës pranë KQZ-së e kontestojnë vijueshmërisht këtë numërim të fletëve të kontestuara, të cilat sipas tyre janë të pavlefshme.

Ndërkohë që numërimi vijon, kuti pas kutie çdo votë i shtohet edhe tabelës përmbyllëse përkatëse, duke bërë që të ndryshojë edhe rezultati për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE