Tiranë, 22 maj 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të punës së tij, po debaton mbi hapjen e fletëve të votimit të kontestuara.
Tashmë votat e kontestuara, të hedhura në kutinë e gabuar i përkasin njësisë bashkiake numër 5, të cilat kapin numrin 30 të kutive me fletët e votimit.
Deri në këto momente janë shqyrtuar 104 kuti votimi të numëruara nga ku kandidati i maxhorancës Lulzim Basha arritur të marrë 164 vota ndërsa për kandidatin e opozitës Edi Rama janë vlerësuar si të vlefshme 74 vota.
Sakaq aktualisht po debatohet mes komisionerëve të të dyja palëve ku nënkryetarja e këtij komisioni Dëshira Subashi, u kërkoi kolegëve të saj që të jepet koha e duhur për njohjen e materialit lidhur me këto kuti, ku theksoi ajo se kutitë po shtohen përditë dhe nuk dihet se nga dalin.
Kjo deklaratë u kundërshtua si nga ana e kryetarit të KQZ-së Arben Ristani edhe nga komisionerët e tjerë, të cilët i konsideruan deklaratat e Subashit si të qëllimshme për vonimin e nxjerrjes së rezultatit.
Nga momenti në moment pritet edhe fillimi i hapjes së 30 kutive të votimit, nga ku do të shqyrtohen votat e cilësuara si të pavlefshme, për t’iu bashkangjitur atyre të tjera të dala më parë nga KZAZ-ja 49 e minibashkisë nr.5
a.y/NOA