English

Letra e madhe e Kadaresë dhe adresa e pasaktë

Nga Edi Lesi

E madhe, e gjerë dhe e shtrirë kudo është mendjemadhësia në Tiranë. Ka mendjemadhësi vend e pavend, dhe më shumë atje ku mendjet janë në të vërtetë të vogla. Në përgjithësi, Tirana mund të quhet një qytet mendjemadh, se të këtillë janë jo pak banorë këtu. Një mendjemadhësi e çartur do të ishte të bëje replikë me Ismail Kadarenë. Unë kam lexuar gjithçka që shkrimtari ynë i madh ka botuar. Jo vetëm letërsinë dhe eseistikën apo studimet, por edhe intervistat, mesazhet, shkrimet dhe letrat e tij. Sa herë, në emisionet e mëngjesit në televizione ku shfletohen gazetat, shoh se Kadareja është diku, ai vetë ose të tjerë që flasin për të, e mbaj vrapin te kioska më e parë për të blerë shtypin. Kur e kur, rrëmoj në bibliotekën time për të gjetur një libër të Kadaresë për ta rilexuar. Ndonjëherë, kur ndodh një ngjarje e rëndësishme në Shqipëri, them vetë me vete: a thua do të flasë Kadareja? Mendimi i tij është vetvetiu asiatër dhe sipëran, për shkak të distancës që ka me palët dhe duke qenë se përmasat e tij nuk kanë aspak nevojë të rriten duke mbajtur anë a kah. Mendimi i tij është një mentor i vyer për këdo që ka diçka në dorë dhe për krejt vendin nëse gjendet në udhëkryq. Është i vyer mesazhi i tij, sepse nuk ka asnjë dyshim që Kadareja e do Shqipërinë dhe kombin. Ismail Kadare nuk mund të rrinte indiferent në një situatë aspak të favorshme politike të krijuar pas votimit të 8 majit. Siç bënë të ditur mediat, ai i dërgoi dje pasdite një letër Lulzim Bashës, ku i kërkon të tërhiqet nga kandidimi për kryetar Bashkie. Ai thotë se kjo do ta shpëtonte vendin nga cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. Kadare thotë se këtë letër, këtë kumt, mund t’ia kishte dërguar edhe Edi Ramës, por zgjodhi Lulzim Bashën, meqenëse ky i fundi është në pushtet, ndërsa tjetri në opozitë. Kjo është letra e një shkrimtari të madh; si e tillë, të bën të reflektosh thellë. Ai i thotë Bashës se një gjest i tillë do të nderonte atë dhe vendin. Nga asnjë lloj pozicioni, unë nuk do të mund të bëja dot një replikë me Kadarenë. Pretendoj se nuk jam një nga mendjemëdhenjtë e këtij qyteti, dhe i këtillë do të përpiqem të mbetem. As mosha, as profesioni, as dijet nuk do të më jepnin të drejtë të kundërshtoja shkrimtarin e madh. Vetëm në një cilësi mund të them se nuk jam dakord me këtë kërkesë të Kadaresë: si votues i 8 majit. Herët në mëngjes atë të diel i jam drejtuar qendrës së votimit dhe pa qenë asnjë moment ndërdyshas, kam votuar që Lulzim Basha të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. I bindur se ky qytet ka nevojë për ndryshim, dramatik madje. I vendosur së pari se duhet të mbaronte koha e qeverisjes së metropolit në mënyrë despotike, sipas trilleve të kryetarit. Gjithaq, me shpresë te programi dhe premtimet e Lulzim Bashës për një administrim krejt të ri të Tiranës, ku spikat vendimmarrja konsensuale dhe pyetja e qytetarëve për shumë projekte. Deri më sot, çfarë ka ndodhur në qytet, është marrë vesh vetëm pas sendërtimit të projekteve dhe vendimet janë nyjëtuar gjithherë në një zyrë, diku, mes një grupi të vogël njerëzish rreth kryetarit. Me këtë gjykim dhashë verdiktin tim jo vetëm për të qenë në rregull me ndërgjegjen, por duke pasur një ndjenjë të fortë empatie se kësisoj do të vendosin shumica e votuesve të Tiranës. Dhe sot janë afërsisht 125 mijë qytetarë të kryeqytetit që kanë shkruar një letër, e kanë hedhur në kuti dhe kërkojnë që Lulzim Basha dhe projekti i tij të vijnë në fuqi. Në një farë mënyre, Ismail Kadare po kërkon që unë të heq dorë nga vota ime. Po u kërkon gjithashtu edhe 125 mijë qytetarëve të tjerë të bëjnë këtë gjë. Sepse kjo nuk është më një çështje personale e Lulzim Bashës dhe të ardhmes së tij. Ai është sot i dënuar të bëjë të kundërtën e asaj çka kërkon shkrimtari i madh. Basha përfaqëson ëndrrën për ndryshim. Tirana është një qytet i majtë, ku Edi Rama ka fituar herën e fundit me rreth 20 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij. Sot rezulton se në kutitë e 8 majit ka më tepër vota për Lulzim Bashën. Kjo është një përmbysje dramatike, si ato të Homerit. Ky truall është shumë tragjik, gjë që e ka nxitur shpesh Kadarenë në letërsinë dhe studimet e tij. Epike mund të quhet edhe përmbysja që ka ndodhur më 8 maj. Edi Rama po i bën rezistencë këtij realiteti të ri, frymës së re, duke u kapur pas kleçkave të procedurës. Fakti është se ai jo vetëm ka humbur mijëra mbështetës, por ka humbur edhe zgjedhjet. Ka marrë më pak vota se Lulzim Basha. Edi Rama duhet të tërhiqet nga ky konflikt politik dhe pasojat që po sjell për vendin dhe të ardhmen. Ai përfaqëson të vjetrën në këtë rast, që rreket të qëndrojë me çdo kusht. Askush nuk e di nëse e reja do të jetë më e mirë. Por, të paktën, është konfirmuar se qyteti e kërkon ndryshimin. Nuk mund t’i kërkohet sot Tiranës të tërhiqet nga dëshira për të marrë një rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo e 11 viteve. S’mund t’i thuhet një ëndrre të zhbëhet, të kthehet mbrapsht. E kam lexuar dy-tri herë letrën e Kadaresë. Është mbresëlënëse. Vetëm se duhej t’i drejtohej Edi Ramës, jo Lulzim Bashës.

KOMENTE
  • Shaba15:32 - 22 Maj 2011
    Sido qe te rrotullohet numerimi i votave, Tirana do kete dy Kryetare (se te dy kantidatet e meritojne plotesisht) dhe nje molle sherri (drejtimin e bashkise). Pse nuk kerkohet edhe nje here mendimi i zgjedhesve ne nje votim te dyte. Le ta ndryshojne rezultatin votuesit e Hysni Milloshit apo ata qe kane nderruar mendje pas gjithe kesaj rremuje?