Beograd, 22 maj 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski ka deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan dhe se harta gjeopolitike e këtij rajoni është e mbyllur.
Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit të tij në Strugë me europarlamentaren suedeze, Ana Ibrisagiç, duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiç se zgjidhja më e mirë për Kosovën është ndarja e saj.
“Secili vend në rajon dhe politikanët e cilit do vend, duhet që problemet e tyre të brendshme, ti zgjidhin në suazat e brendshme e jo ti eksportojnë problemet e tyre të pazgjidhura duke krijuar probleme të tjerëve. Mesazhi im është që harta gjeopolitike e rajonit është mbyllur, ndaj aty nuk ka vend për asnjë ide të madhe, as për Serbi të madhe, as për Shqipëri të madhe e asgjë tjetër. Ide e vetme e madhe që mund të vijë parasysh në Ballkan, këtyre viteve të fundit, është ideja për Evropën e Madhe. Kjo duhet të jetë zgjidhja”, theksoi Milloshoski.
Sipas tij, zgjidhje nuk duhet të jenë kufijtë dhe ndarjet e reja, por si zgjidhje duhet të jetë bashkimi apo kufijtë sipas terkut evropian.
“Kufijtë do të bëhen aq të parëndësishëm me vetë bashkimin e vendeve në rajon dhe në Europë, që do të na jep një dimension të ri për bashkëpunim, mirëkuptim dhe përparim”, theksoi Milloshoski, i cili garon si bartës liste për deputet të VMRO-DPMNE-së.
Ai shtoi se deklaratat e tilla si të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të brendshëm serb nuk janë të mirëpritura dhe se nuk ka mbështetje për ndarje të reja apo zhvendosje të kufijve, pos rregullimi i tyre në nivel të kufijve administrative të vendeve që sot apo nesër do të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.
Eurodeputetja Ana Ibrisagiç, deklaroi se mbështet qëndrimet e shprehura nga ministri i jashtëm i Maqedonisë, sepse sipas saj, BE nuk mbështet zhvendosjen e kufijve në rajonin e Ballkanit.
“Ajo që na intereson për rajonin është që sa më parë rajoni të inkuadrohet në integrimet evropiane. Nuk do ta shqyrtojmë rajonin si rajon por njëherësh nuk do të lejojmë që ndonjë vend që përparon, duhet ta presë ndonjë tjetër, ndaj secilin vend do të përcjellim në atë moment se në cilin vend ndodhet. Por do të theksoj se as tash e as në të ardhmen nuk ekziston mundësi për zhvendosje të reja të kufijve. Bashkësia e vetme e madhe që mund të ndodhë është Evropa e bashkuar. Vetë hyrja në BE, përfundon rëndësia e kufijve ndërmjet vendeve. Atëherë ekzistojnë kufijtë e jashtëm të BE-së e jo kufijtë ndërmjet vendeve të ndryshme. Kufijtë janë të hapur për lëvizje të ideve dhe mallrave, ekonomisë, prodhimeve, kapitalit, arsimimit të njerëzve etj”, deklaroi eurodeputetja Ibrisagiç.
(INA)/NOA