English

Njësia 5 vlerësohet pasdite, Basha mban kryesimin me 171 vota, Rama 80

Tiranë, 22 maj 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili rreth dy orë më parë nisi shqyrtimin e kutive të votimit me fletët e kontestuara, pak më parë i ndërpreu punimet për të rifilluar sërish në orën 18.00.

Deri më tani janë numëruar 113 kuti nga të cilat janë vlerësuar si të vlefshme 171 vota për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha dhe 80 të tjera në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama.

Nën kontestime të vazhdueshme nga ana e komisionerëve dhe përfaqësuesve ligjorë të opozitës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar disa kuti votimi për të vijuar me të tjerat në mbledhjen e radhës.

Sakaq pritet që kutitë e radhës të jenë ato që i përkasin njësisë bashkiake numër 5 e cila gjatë gjithë procesit zgjedhor është cilësuar si molla e sherrit, për nxjerrjen e rezultatit të fituesit të Bashkisë së Tiranës.

Sakaq nuk dihet ende numri i saktë i kutive që mbeten në numërim, pasi shifrat e tyre janë kontradiktore për shkak të shtimit të numrit të tyre.

Ndër të tjera në të njëjtën orë më mbledhjen e radhës të KQZ-së, pritet që të mbahet edhe protesta e radhës e opozitës e cila në vijimësi i ka kundërshtuar këto fletë votimi që po shqyrtohen, pasi sipas tyre janë të pavlefshme, shkelin Kodin Zgjedhor dhe tjetërsojnë në mënyrë të paligjshme rezultatin.

a.y/NOA

KOMENTE