Tiranë, 22 maj 2011, NOA – Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon numërimin e votave të panumëruara të hedhura në kutitë e gabuara, nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi deklaroi rishtas se kjo procedurë që po ndjek KQZ është tërësisht e paligjshme.
Subashi theksoi se KQZ nuk ka tagër të legjitimojë një tabelë, që është përmbyllur në KZAZ-në përkatëse, respektivisht ajo 49.
Nënkryetarja Subashi nënvizoi se “tabelat janë përpiluar në KZAZ-në nr. 49, dhe ne nuk kemi tagër të ndryshojmë rezultatin në këto tabela”.
Rishtas ka ndërhyrë Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili interpretoi nenin përkatës të ligjit, duke theksuar se fletët janë të vlefshme kur mbajnë vulat përkatëse të qendrave të votimit dhe kodet.
“Ne po numërojmë votat e qendrës së votimit. Për shkak të mirëadministrimit vota hidhet në qendrën e votimit dhe ne jemi të detyruar ta numërojmë për shkak se është e drejtë legjitime e zgjedhësit”, argumentoi Ristani.
"Këtë e kam përsëritur me dhjetra herë", tha ai, duke ripërsëritur se “Neni 117 thotë se fleta e votimit është e vlefshme kur në letër është votuar qartësisht vetëm për kandidatin, që zgjedhësi ka dashur të votojë”.
Ndërkohë është numëruar edhe kutia me fletë të kontestuara 18/28/1, ku është konstatuar një votë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha.
mit/NOA