English

Shqipëria “Miss Bota” e turizmit

...Jemi vlerësuar nga agjencitë me prestigjioze të botës si destinacioni i parë turistik i planetit, si një nga destinacionet më kryesore turistike të vendit, jemi përzgjedhur si “Miss Bota”, se miset nuk i zgjedhin qeveritë i zgjedhin juritë...

Sali Berisha

Sot jam këtu për një nga problemet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të vendit, të qeverisë, familjeve, problemin e turizmit. Shqipëria faktikisht ka hyrë në sezonin turistik, e vërteta është se fluksi i turistëve po vjen çdo ditë në rritje, përpjekjet kanë qenë më serioze se asnjëherë, por nuk mund të injorohet fakti se në muajin prill, qeveritë vendore në tërësi, por dhe ajo qendrore, kanë qenë të angazhuara në një fushatë elektorale. Një Komitet Ndërministror u krijua shumë muaj më parë i drejtuar nga kryeministri, në mënyrë që të shtynte para të gjitha para përgatitjet për sezonin turistik. Anëtarët e qeverisë së bashku me autoritetet vendore, punuan me një plan masash për t’u asistuar atyre në para përgatitjet e rëndësishme për këtë sezon.

Unë jam sot këtu për t’u bërë një thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare, qeveritareve vendorë, përfaqësuesve të qeverisë qendrore, të ndjekin me angazhim të plotë dhe total finalizimin e të gjitha përgatitjeve për sezonin turistik më të suksesshëm në historinë e vendit.

Ne hymë në këtë sezon pasi jemi përzgjedhur, jemi vlerësuar nga agjencitë me prestigjioze të botës si destinacioni i parë turistik i planetit, si një nga destinacionet më kryesore turistike të vendit, jemi përzgjedhur si Miss Bota, se miset nuk i zgjedhin qeveritë i zgjedhin juritë, kjo është e vërteta dhe juritë e agjencive me serioze turistike kanë zgjedhur Shqipërinë, ndaj dhe le ta vlerësojmë ne në shkallën më maksimale.

Një mesazh të veçantë unë dua t’ju adresoj qytetarëve shqiptarë, që kanë meritën e jashtëzakonshme të ngjitjes së Shqipërisë turistike në këto nivele, sepse e theksoj edhe njëherë se ndër faktorët më themelorë të këtij suksesi të madh, të këtij suksesi që askush nuk mund ta imagjinonte 5-6 vjet më parë, ka qenë mikpritja shqiptare, ka qenë shërbimi i shkëlqyer shqiptarë.

Sapo u ndava nga një grup përfaqësues të agjencive polake më serioze të turizmit. Kishin shëtitur një pjesë të vendit , ishin të mahnitur nga bukuritë magjepsëse të brigjeve dhe maleve të Shqipërisë, por ishin gjithashtu shumë të kënaqur me shijet e gatimit të ushqimeve të gatimeve në Shqipëri. Presidenti i tyre më tha se ne burrat fituam kilet, natyrisht zonjat mbajtën linjat, i tillë ishte ushqimi.

Ju bëj thirrje çdo familje çdo qytetari të gjitha autoriteteve vendore, të bëjnë gjithçka për të paraqitur një mjedis të pastër. Atë pastërti që ne ruajmë në shtëpitë tona , që ne ruajmë në lokalet tona, në kafenetë dhe restorantet tona, të kërkojmë ta kemi edhe rreth nesh , kudo.

Është një rast shumë fatlum për ne për të pritur fluksin më të madh të turizmit në historinë e vendit, por edhe për të krijuar përshtypjen më pozitive se kurrë më parë, për mikpritjen, mjedisin, bukuritë, ujërat brigjet, pasuritë e pafundme, trashëgiminë e madhe kulturore që kemi. Nuk i gjen në një vend tjetër që në një hapësirë të vogël, të ketë kaq shumë pasuri dhe trashëgimi arkeologjike siç ka në Shqipëri.

Ndaj dhe duke përshëndetur të gjithë ata që sot po pushojnë në plazhet e vendit, duke përshëndetur çdo shqiptarë, ju bëj thirrje të mobilizohemi me të gjithë potencialin tonë për ta paraqitur Shqipërinë turistike këtë vit më mirë se kurrë. Infrastruktura ka ecur dhe po ecën, së shpejti ne inaugurojmë impiantet e ujërave të zeza, shumë të rëndësishme për pastërtinë e ujërave.

Së shpejti ne finalizojmë një kolektor jashtëzakonisht të rëndësishëm që na garantojnë pastërti, por asgjë nuk mund të zëvendësoje kujdesin e qytetarit nga fëmija tek i moshuari, për një ambient për një mjedis sa më të pastër për vete për miqtë tanë, që vijnë nga e gjithë bota për të kaluar pushimet në brigjet tona, hotelet, familjet shqiptare.

Unë jam i bindur se ky sezon do të jetë një histori e vërtetë suksesi dhe do të bëjmë gjithçka që të jetë një histori e vërtetë suksesi, për çdo të ri, të re, burrë, grua , të moshuar që vjen, që i beson Shqipërisë pushimet e tij, por do të jetë një histori e vërtetë dhe e madhe suksesi për Shqipërinë, e cila u lartësua me shpejtësi marramendëse në pozicionin e saj dhe arriti të shpallë destinacionin kryesor i planetit.

Unë e di që ju do të dëshironit pyetje për tema të tjera dhe normale për zgjedhjet, por unë do të preferoja sot duke shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre dy zonjave komisioneve dhe pesë zotërinjve komisionerë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjithë stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesve të forcave politike, të cilët po punojnë me një përkushtim të madh dhe në kushte do të thosha të vështirësuara , dua të shpreh mirënjohje shumë të thellë ndaj të gjithë efektivit të policisë së shtetit për sakrificën e tyre të madhe që po bëjnë, përmbushjen me profesionalizmin më të lartë të detyrës. Natyrisht do të jem dhe jam shumë shpesh para jush, por sot preferojë që temë e kësaj konference të mbetet turizmi, turizmi, dhe vetëm turizmi.

Jam i bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi, por mos harroni se zoti Barroso nuk vinte në një vizitë apo pushime private në Shqipëri, vinte në një vizitë zyrtare, e cila ka disa rregulla të tjera. Në qoftë se ka një problem përreth KQZ, nuk ka një problem askund tjetër ku turistët të mos pushojnë, u dogjën ca goma e u bënë ca gjëra, por këto nuk janë gjera të pazakonshme në një vend të lirë.

E zakonshme nuk është rrethimi i komisionit, por për të tjerat, protestat janë kudo, është një konstante, nuk gjen vend sot që të mos ketë një protestë. Protesta janë pjesë e një dëshmie të një demokracie që funksionon.

*Deklarata e plotë e kryeministrit Sali Berisha

KOMENTE