Tiranë, 23 maj 2011, NOA – Kur pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit, lideri demokrat dhe kryministri Sali Berisha deklaroi sot se kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha është 78 vota para kandidatit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.
Në mbledhjen e parë me grupin e deputetëve demokratë pas zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Berisha deklaroi se qytetarët shqiptarë votuan më shumë për kandidatin Lulzim Basha në Tiranë.
“Kjo fitore thekson se qytetarët e Tiranës duan më shumë se çdo kandidat tjetër Lulzim Bashën”, theksoi shefi i mazhorancës.
Ai tha se ky rezultat i ngushtë në Tiranë, është një sfidë për demokracinë shqiptare, dhe po kështu edhe numërimi transparent i çdo vote të panumëruar nën dritën e diellit dhe sytë e të gjithëve.
Mëgjithatë kryeministri shprehu rishtas se do të presë finalizimin e rezultatit nga KQZ.
Shefi i qeverisë falenderoi qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e tyre masive në këto zgjedhje administrative.
Në këtë kontekst kryeministri deklaroi se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mori 140 mijë vota më shumë se koalicioni kundërshtar.
“Shqiptarët vlerësuan masivisht koalicionin tonë”, tha kryeministri, duke e vlerësuar këtë si një mbështetje historike.
Ai nënvizoi gjithashtu se koalicioni i mazhorancës fitoi 17 përqind më shumë vota se koalicioni opozitar.
Këtu ai mori në mbrojtje numërimin e fletëve të kontestuara të votimit në KQZ, duke thënë se “Vota është vetjake, e lirë, e barabartë. Nëse njëra votë numërohet dhe tjetra jo, pabarazia prek legjitimitetin e votës së zgjedhësit dhe shprehjen e zgjedhësit me votë”, argumentoi kryeministri.
Ai tha se duhet të bëhen përpjekjet maksimale për të numëruar të gjitha votat e vlefshme.
Sipas tij KQZ e ka të parashikuar në ligj se merr rolin e KZAZ-së.
"Derisa në përputhje me nenin 33 të shpallet rezultati për Tiranën KQZ e ka të garantuar në ligj që funksionon si KZAZ”, tha kryeministri. Vijon…
mit/NOA