English

Big Brother show në KQZ

Formula e KQZ-së të përbërë nga përfaqësuesit e partive në raste si ky në Shqipëri gjithnjë rrezikon shndërrimin e autoritetit kryesor të zgjedhjeve në makineri mbivotuese…

Nga Shkëlzen Maliqi

Krahasimi i Big Brotherit të Top Chanell me variantet kosovare të këtij reality show gjithnjë ka krijuar një ndjenjë inferioriteti të përpjekjeve të televizioneve kosovare. Investimet, invencionet dhe spektakulariteti i emisionit të Tiranës gjithnjë perceptohej shumëfish më atraktiv dhe me audiencë më superiore se ato të Kosovës. Edhe vetë telespektatorët kosovarë më shumë pëlqejnë dhe mishërohen me spektaklin e Tiranës, që edhe kujdeset për përfshirjen në konkurrencë të kosovareve/kosovarëve atraktivë që garojnë për çmimin e Vëllait të Madh, dhe zakonisht depërtojnë deri në gjysmëfinale, dhe aty “eliminohen”.

Sivjet konkurrenca e pabarabartë e këtyre spektakleve televizive sikur është zgjeruar edhe në një fushë tjetër, të politikës. Koincidentalisht, sapo mbaroi telenovela e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, filloi telenovela edhe më spektakolare e zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Kosovë telenovela politike zgjati gjashtë muaj, me gjithë ato kthesa spektakolare që nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese që e largoi Fatmir Sejdiun nga posti i Presidentit, vazhdoj me një dramë të vogël në LDK që e ndëshkoj Sajdiun dhe zgjodhi Isa Mustafës si sfidues të Hashim Thaçit, pastaj ndodhën zgjedhjet që i fitoi PDK-ja jo aq bindshëm, përcjell me skandale dhe parregullsi që kushtëzuan intervenimin e gjykatave dhe përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve.

Rezultati final doli shumë i ngushtë dhe kjo do të ndikojë në vonesën e krijimit të Qeverisë duke imponuar një koalicion pothuajse detyrues PDK-AKR plus partitë minoritare dhe atë votimin tejet dramatik të Behxhet Pacollit për President, që do të kontestohet. Dhe me këtë telenovela kosovare nuk mori fund, sepse pas ushtrimit 35 ditësh spektakolar dhe pretencioz të rolit të “Presidentit” nga ana e Pacollit, ndodhi edhe një verdikt tjetër befasues i Gjykatës Kushtetuese që anulonte votimin e Pacollit! Në atë çast Kosovën e kërcënonte një krizë e zgjatur. Vetëm se në ato çaste ndërhyri Vëllai i Madh kujdestar, ambasadori amerikan Kristofer Dell. Delli uli në një tryezë Thaçin, Mustafën dhe Pacollin dhe epilogu ishte mjaft befasues, pasi që nga ky “dialog” si Presidente koncensuale e Kosovës do të dalë një autsajdere totale politike, zonja Atifete Jahjaga.

Sapo mbaroj kjo telenovelë politike e Kosovës, filloi tjetra edhe më spektakolare në Shqipëri. Nuk është se ishte ndonjë telenovelë e re. Në të vërtetë zgjedhjet e 8 majit ishin vetëm vazhdim dhe kulminacion i serialit që kishte filluar më herët, me zgjedhjet e vitit 2009, kur PD-ja me koalicionin e gjerë të djathtë fitoi 50 % të mandateve në parlament (70 deputetë), PS-ja me disa parti të majta fitoi 64, kurse LSI-ja 4 mandate. Me këtë humbje PS-ja dhe Edi Rama nuk e kishin as mundësinë matematikore dhe teorike që të bëjnë koalicion me LSI-në e Ilir Metës, që në vitin 2007 tregoj se e majta e bashkuar ka më shumë vota se e djathta. Por, mospajtimet dhe arroganca e Ramës ndaj Metës, bëri që ky i dyti të lidhet me PD-në.

Edi Rama në vitin 2009 nuk e reflektoi mirë shkakun e humbjes së PS-së nga mosrespektimi i faktorit LSI, por zgjodhi kontestimin e pareshtur të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009, duke kërkuar që të hapën kutitë dhe të ndëshkohet “kusaria” dhe “vjedhja e votës”. Kjo strategji e kontestimit të zgjedhjeve dhe të Qeverisë kushtëzoi një tensionim të vazhdueshëm në Shqipëri që do të arrijë kulmin më 21 janar 2011 kur protesta e së majtës para Kryeministrisë përfundoi me përleshjen mes demonstruesve dhe forcave të rendit ku jetën humbën katër veta. Kjo gjakderdhje polarizojë edhe më shumë Shqipërinë dhe është dashur që të ndërhyjnë Vëllezërit e Mëdhenj nga jashtë që të ulën gjakrat dhe të mos ‘aktivizohen’ skenarët e ngjashme me ato të pranverës arabe.

Shansi që të tejkalohet ky hendek i madh kanë qenë zgjedhjet e 8 majit, ku supozohej se mund të testohet edhe një herë pjekuria demokratike e shqiptarëve. Edi Rama vendosi që të kandidojë sërish për kryebashkiak të Tiranës, duke i shndërruar kështu zgjedhjet administrative në përplasje politike dhe sprovë të legjitimitetit të qeverisjes së Sali Berishës. PD-ja kandidoi Lulzim Bashën, njërin prej politikanëve më premtues i PD-së që favorizohet nga vetë Sali Berisha. Edi Rama as që e konsideronte fare Lulzim Bashën si faktor më vete. Në betejën për mbrojtjen e Tiranës ai hyri duke e pas para syve si kundërshtar vetëm e vetëm Sali Berishën. Porosia kyçe propagandistike e fushatës së tij ishte ai klipi ky në 10 sekonda fytyra e Lulzim Bashës shndërrohet në fytyrën e Sali Berishës. Por, për të rifituar Tiranën Ramës është dashur që të reflektojë realisht dhe me kujdes faktorin LSI, votat e cilës parti në vitin 2007 e bën diferencën bindëse në favor të tij. Por ai sërish, si në vitin 2009, injoron Metën dhe LSI-në, mbase duke llogaritur se skandali me videot e Dritan Priftit do të ndikojë në kthimin një pjesë të votuesve të kësaj partie te PS.

Befasia më e madhe e 8 majit ishte gara tejet e ngushtë, ku vota u nda si me thikë 50 me 50 për qind. Ky rezultat aktivizoi mekanizmat e ndikimeve të sofistikuara procedurale për të nxjerr rezultatin përfundimtarë. Në numërimin paraprak Rama kishte përparësi 10 vota, por handikap i tij është numri inferior i përfaqësuesve të PS në organet që kontrollojnë zgjedhjet, KZAZ-të, KQZ, mbase edhe te Kolegji Zgjedhor. Formula e KQZ-së që përbëhet nga përfaqësuesit e partive, në raste si ky në Shqipëri, gjithnjë rrezikon shndërrimin e autoritetit kryesor të zgjedhjeve në “makineri mbivotuese” që përcakton fitimtarin me trukim procedurave dhe të interpretim të kodit zgjedhor.

Ky rezultat ka krijuar rrethanë fantastike që KQZ-ja në Tiranë të shndërrohet në vend ku zhvillohet një reality show televiziv ku me orë të tëra zhvillohet beteja procedurale për çdo kuti, për çdo votë.

Vetëm nga jashtë këto transmetime direkte duken si proces me transparencë të plotë, ku numërohet vota reale e sovranit, e popullit. Në të vërtetë, si edhe në Big Brother Show televiziv, edhe në këtë reality show të zgjedhjeve, sovrani i vërtet është Vëllai i Madh (ose Vëllazëria e Madhe), i cili do ta thotë, në momentin e duhur, se kush është fitues i lojës.

Për dallim na emisioni televiziv, që e fsheh emrin e Vëllait, ky ose këta të politikës, e dimë se cilët janë.

Dhe mirë që janë, se përndryshe do të kërcënonte anarkia si e vitit ’97.

KOMENTE