English

Gjykata e Lartë e shpall Mediun të pandehur për të tretën herë

Tiranë, 23 maj 2011, NOA- Qendra Res Publica dhe Shoqata e Viktimave te Shpërthimit të Gërdecit, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë “Soros’, pas depozitimit në Gjykatën e Lartë të kërkesë padisë kundër ministrit Fatmir Mediu, e ka shpallur këtë të fundit si të pandehur.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, shoqatat e mësipërme deklarojnë se, akuzat kundër tij, vijnë për veprën penale të plagosjes së rëndë nga pakujdesia ndaj shtetasit Zyber Lela.

Gjatë seancës së ditës së sotme Gjykata e Lartë doli me vendimin për të kaluar në fazën e hetimit gjyqësor duke thirrur si të pandehur Fatmir Mediun.

Kjo padi është çështja e tretë që paraqitet për gjykim në Gjykatën e Lartë ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gërdec në 15 mars të vitit 2008.

Qendra Res Publica dhe Shoqata e Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, qëndrojnë në pritje të kërkesës së Gjykatës së Lartë drejtuar Parlamentit të Shqipërisë për të mundësuar heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, veprim ky që do t’i hapte rrugë hetimit dhe gjykimit të tij në Gjykatën e Lartë.

a.y/NOA

KOMENTE