Tiranë, 23 maj 2011, NOA- (Update) Në vijim të mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet të dalin rezultatet për fituesin e Tiranës, përfaqësuesi ligjor i demokratëve në këtë komision Njazi Kosovrasti, deklaroi se vullneti i qytetarëve duhet respektuar deri në fund.
Sipas tij, “Ky akt i cili nxjerr rezultatet e garës për Tiranën, mund të miratohet me 4 vota, pasi KQZ duhet të përdorë kompetencën e saj, kundrejt KZAZ-ve sipas porosisë së OSBE-ODHIR. Rekomandimet theksojnë se, ky komision duhet të veprojë dhe duhet të rishikohet kodin zgjedhor, në mënyrë që votat e kontestuara të përfshihen në tabelën e rezultateve”.
Më tej Kosovrasti theksoi se, KQZ edhe në mungesë të 3 anëtarëve vendos, pasi as ky proces nuk do kishte marrë asnjë vendim gjatë gjithë procesit, pasi komisionerët e opozitar nuk kanë votuar.
Në përfundim përfaqësuesi i demokratëve, deklaroi se PS për tre vite me radhë bënte demonstrata duke thënë, “Dua të shohë votën time, ndërsa tani thuhet nuk dua ta shoh votën time”.
Ai e cilësoi procesin zgjedhor si transparent dhe në integritet të plotë dhe se kutitë që mbërritën në KQZ ishin të mbrojtura dhe të sakta edhe me kode sigurie, duke kërkuar që votat e kontestuara të përfshihen në tabelat e rezultateve.
a.y/NOA