Romë, 23 maj 2011, NOA- Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ditën e sotme nisi vizitën e tij zyrtare ku zhvilloi një takim me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini.
Gjatë takimit, Krasniqi e falënderoi z. Fini për pritjen miqësore dhe për kontributin që Italia ka dhënë për Kosovën që nga angazhimet e saj në forcat ndërhyrëse të NATO-s, në misionet e KFOR-it e të EULEX-it, njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës, duke konstatuar kështu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si të shumë të mira dhe të shkëlqyeshme.
Kryeparlamentari kosovar foli për fqinjësinë e mirë me shtetet kufitare, përveç me Serbinë, e cila, sipas tij, ende nuk është e gatshme që të vendos marrëdhënie me Kosovën.
Më tej ai i kërkoi Finit që të mbështesë dhe të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera si dhe në bashkëpunimet e vendit me shtetet e rajonit.
Ai kërkoi mbështetje edhe në procesin e integrimit evropian, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërparlamentar, si dhe rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare.
Një nevojë tjetër që paraqiti në këtë takim kryetari Krasniqi, ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Një tjetër çështje që Krasniqi ngriti në këtë takim, ishte edhe nevoja për shtimin e investimeve italiane në Kosovë, ku dita-ditës po krijohen kushte të favorshme për investime të huaja.
Kryeparlamentari Krasniqi foli edhe për raportin e Dick Martit dhe për dëmet që ai i ka shkaktuar ai Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai sqaroi pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë dhe të pavërtetat e prekura në këtë raport, duke shprehur, njëkohësisht, gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për një hetim të mirëfilltë rreth çështjeve të ngritura në këtë raport, në mënyrë që kjo çështje të mbyllet sa më parë që është e mundur.
Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini, theksoi se në parlamentin italian ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën.
“Ne kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament”, theksoi Fini.
Duke folur për situatën që Kosova ka kaluar në gjashtëmujorin e fundit, ai theksoi se për Kosovën dhe institucionet e saj reformat janë më se të nevojshme, të cilat do të ndihmojnë në procesin e integrimeve europiane.
a.y/NOA