Pikëshikimi i Perëndimit karshi Kosovës dhe Serbisë, ka ndryshuar shumë prej atij të vitit 1999, për më shumë, edhe prej atij të viteve 2007-të, 2008-të, kur Kosova u bë shtet i pavarur
Nga Blerim Shala
E kemi dërrmuar Serbinë në Kuvendin e Kosovës, të enjten e kaluar (me 19 maj), gjatë debatit për Masakrën e Dubravës. E kemi quajtur nja dy-treqind herë fashiste, naziste, shoveniste, etj.etj. Në shpërthimin e inspirimit tonë të paparë politik, kemi krahasuar Dubravën me Guantanamon dhe me Auschwitzin.
Ia kemi treguar vendin Serbisë. Thënë më mirë, nuk i kemi lënë vend askund.
Pas kësaj seance parlamentare, ashtu të lodhur por gjithsesi të frymëzuar me numërimin e të gjitha krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë, thuajse drejtësia është vënë në vend nëpërmjet të fjalëve tona në gjuhën shqipe në Kuvendin e Kosovës, kemi kuptuar prej mediave që Jose Barroso, Kryeministri i Evropës, ka anuluar vizitën në Shqipëri, sepse andejpari ende numërohen votat e zgjedhjeve lokale, dhe që në Beograd, u ka thënë zyrtarëve të Serbisë që njohja e shtetit të Kosovës (nga Serbia), nuk ndërlidhet me proceset integruese të Serbisë në BE.
Në Prishtinë, Barroso do të deklarojë që kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj. E nuk mund të ketë normalizim të këtyre raporteve, pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Apo jo.
Çfarë e dimë qysh tash është që Serbia, shumë para Kosovës, fitoi të drejtën që qytetarët e saj të udhëtojnë në Evropë pa vizë, dhe poashtu, shumë vite para nesh, e si po duket, edhe para Shqipërisë, do ta merr statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE.
Ky është maji i vitit 2011, e jo maji i vitit 1999.
Por, t’i kthehemi Kuvendit të Kosovës dhe Debatit për Masakrën e Dubravës.
E tëra ta kujton rrëfimin për një intelektual goxha me nam ndër ne, i cili u bë edhe anëtar i G-15-tës, Grupit të parë negociator për Kosovën, në pranverën e vitit 1998, që prihej nga Presidenti Rugova. Ky intelektual gati çdo javë, i dërgonte Letra Grupit të Kontaktit, Kofi Annanit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Javier Solanës, Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit NATO dhe shumë të tjerëve, në të cilat përshkruhej saktë tmerri që kishte marrë dhenë në Kosovë.
Letrat botoheshin në të përditshmen kosovare “Bujku”.
Kur një herë u pyet se a ka farë reagimi ndaj këtyre Letrave të tij, u kuptua që ai në fakt, as që i dërgon ato në adresat e duhura, por vetëm i boton në gazetën “Bujku”.
Adresa e mirëfilltë e këtij intelektuali ishin shqiptarët e Kosovës, të cilët e dinin fare mirë se çfarë është duke ndodhë me ta dhe çka duhet të bëjë Perëndimi, e jo autoritetet më të larta ndërkombëtare, të cilat kinse ftoheshin të bëjnë, më në fund, diçka për Kosovën.
Kështu jemi sjellë edhe ne në Kuvendin e Kosovës.
Me atë çfarë thamë në këtë debat, po del që ne akoma nuk kemi kuptuar se çfarë nuk kemi bërë në vitet pas çlirimit të Kosovës, dhe se tani, situata në Perëndim, pikëshikimi i Perëndimit karshi Kosovës dhe Serbisë, ka ndryshuar shumë prej atij të vitit 1999, për më shumë, edhe prej atij të viteve 2007-të, 2008-të, kur Kosova u bë shtet i pavarur.
Mirë, ne për pak minuta, mund të ofrojmë goxha argumente të qëndrueshme që dëshmojnë që pakçka, në mos hiçgjë, së paku në politikën e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, Serbia e Boris Tadiqit dallon prej asaj të viteve të nëntëdhjeta. Madje, midis Beogradit ka shumë publicistë dhe aktivistë joqeveritarë serbë, që e thonë të njëjtën gjë. E thanë këtë edhe në Prishtinë para pak ditësh, kur theksuan që Serbia duhet ta njoh shtetin e Kosovës. Por duhet të kuptojmë që gjërat në Botë kanë ndryshuar në të mirë të Serbisë dhe për të keq të Kosovës.
Si kemi mbërritur në këtë stad, është një kallëzim i veçantë. Ai, natyrisht, ka edhe kaptinën shumë të rëndësishme të gjërave apo veprimeve të cilat nuk i kemi bërë si politikë kosovare, si Kosovë, që prej vitit 1999 e këndej.
E para gjë që të bie ndërmend është që Serbia ka mundur të paditet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për përpjekje për të bërë gjenocid në Kosovë. Njohësit e të Drejtës Ndërkombëtare e thonë troç që ky ishte një rast i tillë. Nisma e këtillë kërkon që shteti që e ngrit këtë çështje të jetë anëtar i OKB-së, kjo dihet. Por këtë ka mundur ta bëjë Shqipëria për ne, po të kishte koordinim të duhur të Prishtinës dhe Tiranës. Nëse do të detyroheshim të heqim dorë nga kjo nismë (për shkaqe të ndryshme, presioni ndërkombëtar, etj.etj.), minimumin që e kishim arritë do të ishte fuqizimi i pozicionit negociator të Kosovës karshi Serbisë, sepse Beogradi e di që do ta humbte këtë luftë legale në GJND (ashtu siç ndodhi edhe me atë tjetrën për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës).
Së dyti, kemi mundur të iniciojmë shumë kallëzime penale për vrasjet dhe masakrat e shumta në Kosovë. Dihen, pak a shumë, kryesit dhe urdhëruesit e tyre. Është e pakuptimtë pse nuk i kemi shkuar deri në fund adresimit të këtyre rasteve, përfshirë këtu edhe vrasjet e figurave të mëdha të Kosovës, Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit, Latif Berishës dhe shumë të tjerëve.
Së treti, kemi mundur të bëjmë shumë filma dokumentarë, dhe së paku një-dy artistik, në të cilët e kishim shfaqur të vërtetën për tragjedinë e Luftës në Kosovës. Me një film artistik që nuk do të kushtonte më shumë se dy milionë Euro, do të mund të bënim dhjetëra herë më shumë për Kosovën, për historinë dhe të tashmen e saj, se sa që kemi bërë me gjashtë milionët e harxhuar në fushatën për “Evropianët e ri”.
Kemi mundur të bëjmë komplekse memoriale shumë më domethënëse dhe më mbresëlënëse se sa këto që i kemi anekënd Kosovës, të cilat, me përjashtime të rralla, s’janë gjë tjetër pos kopje e keqe e artit soc-realist.
Kemi mundur. Po. Por pak kemi bërë. Fare pak. Dhe tani përpiqemi që me debate parlamentare të lajmë ndërgjegjen tonë.
Nuk ndryshon kështu gjendja në Kosovë, në këta Kapitujt e historisë dhe të drejtësisë. Nuk bëhet politika kështu.
(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është marrë nga "Express" Prishtinë)