English

Meta: Rezultati më i mirë për LSI, por nuk realizuam objektivat

Tiranë, 23 maj 2011, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot se rezultati i zgjedhjeve vendore të 8 majit për LSI-në është shumë më i mirë se ai i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, porse nuk u realizuan objektivat e kërkuara.

Pas takimit me krerët e LSI-së në rrethe, shefi i partisë së dytë të koalicionit të mazhorancës qeverisëse theksoi se LSI ka marrë 45 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e shkuara.

Ai i vlerësoi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje me rezultatin më pozitiv për LSI-në.

Meta nënvizoi se ky rezultat është pikënisja për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013, që sipas Metës do të shënojnë më shumë rezultat për këtë forcë politike.

Megjithatë referuar edhe faktit se kandidatët e LSI-së nuk fituan në disa bashki kryesore në vend, si ajo e Elbasanit, apo e Lushnjes dhe Beratit, por edhe në minibashkinë nr. 5 në Tiranë, lideri i LSI-së apeloi se në zgjedhjet e 8 majit nuk u plotësuan objektivat e kërkuara nga LSI.

Duke iu referuar garës për minibashkinë nr. 5 në Tiranë, ku Erisa Xhixho e LSI-së humbi ndaj Jeta Seitaj, Ilir Meta nënvizoi se në Tiranë LSI arriti rezultatin më të lartë të arritur ndonjëherë, por pa realizuar objektivat e kërkuara.

Ai paralajmëroi mbledhjen e afërt të Këshillit kombëtar të LSI-së, ku do të vendoset për platformën e rezultateve, që sipas tij duhet t’i kushtohet qytetarëve.

mit/NOA

KOMENTE