English

Ndarja e Kosovës, një ide e vjetër e Akademisë Serbe

Nga Adnan Abrashi

Pikërisht, sa është në vazhdim e sipër dialogu i ashtuquajtur “teknik” në mes të Kosovës dhe Serbisë, disa zërat e shpeshtuara që po na vijnë si propozime nga Serbia për një ndarje të mundshme të Kosovës, gjithnjë e më shumë po e komplikojnë këtë skenarë “optimist” të Brukselit.

Një deklaratë e tillë, së fundmi erdhi nga ministri për Kosovë në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, dhe të ngjashme ka pasur edhe nga nënkryetari i qeverisë serbe, Ivica Daciç, si dhe nga kryesuesi i ekipit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviç, e gjer tek kryetari serb, Boris Tadiç. Edhe pse me pretekstin e arsyetimit kinse si qëndrime personale të disa politikanëve, ato, nga ne shqiptarët, aspak nuk duhet të merren si të rastësishme. Ata lexues që sado pak i njohin politikat serbe, duhet ta dinë se e tërë prapavija e tyre e veprimit praktik është vetëm bashkërendim koordinues në mes të Kishës Ortodokse Serbe, Akademisë së Shkencave dhe politikës zyrtare në pushtet (shtetit). Prandaj, sikurse edhe shumë propozime, projekte, plane të përgjakshme dhe veprime tjera të gjertanishme antishqiptare, edhe kjo e ndarjes së Kosovës, vjen e gatuar pikërisht nga kjo kuzhinë famoze e politikabërjes serbe.

Akademiku, Dobrica Qosiçi –ideator i parë i ndarjes territoriale serbo - shqiptare

Si avokati kryesor dhe më i zëshëm i ndarjes së Kosovës, konsiderohet akademiku serb, Dobrica Qosiç - ndryshe i konsideruar edhe si “baba i kombit serb”. Ai qysh nëpër disa biseda intelektuale të viteve të tetëdhjeta, si opsion më të përshtatshëm të zgjedhjes historike të çështjes serbo-shqiptare, e haptas ka shtruar idenë mundësisë së ndarjes së Kosovës përmes një marrëveshjeje në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Bile-bile, në disa literatura të perëndimorëve thuhet se në aneksin e Memorandumtë kësaj ideje në terren. Mirëpo, tek më vonë, dëshmitë e para materiale rreth këtyre angazhimeve të Qosiçit, na jep, Boris Joviç, një ish- President i Jugosllavisë.

Sipas Joviçit, më 11 shator 1990, një takim zyrtar dy-orësh që kishte pasur me Qosiqin rreth diskutimeve programore të zgjidhjes strategjike të çështjeve të rëndësishme nacionale serbe, atëbotë ai i kish sugjeruar se, "Kosova nuk mund të ruhet më...do të jetë shumë reale që ne (serbët v.s) të kufizohemi me ta (shqiptarët v.a), me kusht që ta ruajmë qymyrin (burimet të pasura thëngjillore të linjiti dhe mineralet tjera v.a) dhe disa monumente tona të shenjta (Graçanicën, Gazimestanin)...për realizimin e këtij qëllimi duhet bërë një plan të fshaftë të cilin do ta kishim aktivizuar në një moment të duhur (të përshtatshëm politik v.a)”.

Pra, pa kurrfarë dyshimi, një plan i tillë i fshehtë serb ekziston. A thua, a nuk është tashti ky momenti i duhur i vlerësuar nga ta si më i përshtatshëm për realizimin e tij?!

Diçka më vonë, në një shkrim të vetin me titull “ Shënime punuese”, të botuara një vit më pas (1991), Dobrica Qosiçi, në mes tjerash shkruante: “Pa aspirata për një Serbi etnikisht të pastër, ne duhet t’i lirojmë ata (shqiptarët) të cilët nuk po ndjehen të lirë me serbët duke na kufizuar kështu edhe neve serbëve që jetojmë në tokat tona këtë liri të garantuar. Menjëherë dhe në mënyrë radikale duhet filluar zgjidhjen e problemit të Kosovës në drejtim të kufizimit tonë me shqiptarët në bazë të parimeve etnike, historike, kulturore... Revidimi i kufijve është i paevitueshme dhe kjo do të jetë shpëtimtare, në rend të parë, për popujt e Jugosllavisë dhe garantuese për një të ardhme demokratike të tërë Evropës. E ardhmja na obligon këtë revidim kufijsh republikan; paqja e përhershme na imponon ta bëjmë këtë revizion të kësaj gjendjeje të trashëguar nga luftërat dhe të dizajnuara nga ideologjia komuniste titiste”. Përfundimisht në shënimet e veta të vitit 1993, rreth kësaj ideje të ndarjes territoriale serbo-shqiptare, Qosiqi thotë: “Bashkimi i popullit shqiptar historikisht është i paevitueshëm, por, ne këtë proces, duhet kushtëzuar me njohjen e së drejtës së njëjtë të bashkimit të serbëve që jetojnë në tërë territorin e ish-Jugosllavisë “ Në fund (po aty) ai thotë, “zgjidhjen përfundimtare e cila nuk mund të pret gjatë”, e kjo nënkupton “rikompozimin e tërë hapësirës ballkanike të Jugosllavisë ...në bazë të principit të vetëvendosjes së popujve”.

Me fuqizimin e idesë së ndarjes së Kosovës, akademiku Qosiq, nuk mbetet me kaq. Edhe më fortë atë e finalizon në veprën e vete “Kosova” (2004) .

Sa për kuriozitet, mendoj se në këtë kontest është interesant të cekim edhe disa shembuj informativ konkretizues:

- Në maj të vitit 2006, si një mënyrë “më të mirë të mundshme” të zgjidhjes historike të konfliktit shqiptaro-serb, njëri ndër intelektualët më të shquar botëror, Noam Çomski, e ka përkrahur haptazi këtë ide të Qosiçit ;

- Me rastin e ditëlindjes së tij të 80-të, urime Qosiçit, i kishin dërguar shumë figura të larta të politikës serbe, e mes tyre ishte edhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Zoran Gjingjiç (tashti i ndjerë), ku , në mes tjerash, e kishte cilësuar atë si “Tomas Manin serb”. (Dihet shumë mirë se Gjingjiqi ishte politikan i parë serb në pushtat (kryeministër) i cili, menjëherë pas lufte, haptas dhe zyrtarisht e përkrahte idenë e ndarjes së Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve);

- Më vitin 2005, në një prononcim të tij publik, kryetari i Serbisë Boris Tadiç, kishte deklaruar se, për shumë veprime të veta politike, shpesh konsultohet me Dobricën (Qosiçin)... Shumë e qartë! E përsëris edhe një herë. Kryetari serb Tadiq, për shumë veprime të veta politike, shpesh konsultohet me Dobrica Qosiqin!?

Se ideja serbe e ndarjes së Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve, nuk ka qen vetëm një propozim individual i akademikut, Dobrica Qosiç, por është një program i qartë dhe i precizuar në detaje nacional serb, na dëshmojnë shumë fakte. Ta zëmë, më vitin 1996, në Konferencën vjetore të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Artave (SANU), kryetari i saj i asaj kohe, Aleksandar Despiç, gjatë fjalimit të vet raportues në këtë tubim, në mes tjerash kishte deklaruar : “Kohën e fundit, sinqerisht po çuditem me disa politikanë , të cilët, shumë herë në të kaluarën nuk janë treguar si mike të popullit serb, se si sot mendojnë se shqiptarët e Kosovës as që duhet ta ëndërrojnë se mund të bëhen shtet i pavarur. Nëse pak më esëll e shtrojmë këtë punë”– ka vazhduar më tej Daspiq – “atëherë do të shohim se, duke ju falënderuar eksplodimit të vërtetë demografik që ka, pakica shqiptare shumë shpejtë nuk do të jetë më pakicë në Serbi... Pas 20 apo 30 viteve, Serbia do të jetë shtet me dy popuj që kanë numër të njëjtë banorësh – shtet dygjuhësor me dy gjuhë që nuk kanë rrënjë të njëjtë”.

NOA

KOMENTE