English

Ndërsa KQZ diskuton rezultatin, opozita proteston. Subashi: Akti i njëanshëm

Tiranë, 23 maj 2011, NOA- (Update) Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi në vijim të diskutimeve për miratimin e aktit për shpalljen e rezultateve për garën elektorale të Tiranës, deklaroi se akti rastësisht u gjet në tavolinë, ashti siç janë gjetur edhe herë të tjera materiale zgjedhore.

Sipas saj, në akt janë bërë disa ndryshime në tabelën e rezultateve, duke thënë se këto ndryshime do të bëhen në varësi të fletëve të panumëruara dhe të pavlerësuara, duke thënë se është bërë një veprimtari e paligjshme.

Më tej ajo shtoi se projekt-akti është i deformuar në kontekstin ligjor, konfuz për nga arsyetimi dhe kontradiktor për mënyrën e trajtimit të problemeve.

Ajo tha se ky akt synon të ndryshojë rezultatin zgjedhor pa ligj dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe se pa diskutim është akt normativ.

“Aktet që kanë për qëllim rregullimin e problemeve me zgjedhjet janë akte normative. Pasi në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk thuhet që fletët e votimit që ndodhen në kutitë e gabuara të konsiderohen si të vlefshme. Ky akt nuk mund të dilte pas ditës së zgjedhjeve, pas shpalljes së rezultatit pasi në të kundërt aktet kanë ndikime në procesin zgjedhor duke synuar edhe paanshmërinë e administratës së KQZ. Për aktet normative ligjvënësit kanë kërkuar që të ketë një kuorum votash, ndërsa duke u shkelur këto rregulla ky akt është tërësisht i njëanshëm dhe cenon në mënyrë të turpshme të drejtat e zgjedhësve për të pasur rezultate të caktuara”, deklaroi Subashi

Ndërsa brenda KQZ-së diskutohet miratimi i tabelës së rezultateve, jashtë këtij komisioni deputetë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste dhe opozitës protestojnë kundër miratimit të kësaj tabele.

Nën akuzat për Kryeministrin Berisha, kryetarin e KQZ-së Arben Ristani dhe kandidatin e maxhorancës Lulzim Basha për Bashkinë e Tiranës se së bashku kanë organizuar një skenar për tjetërsimin e vullnetit të popullit.

Prej disa ditësh ata vijojnë të qëndrojnë para këtij komisioni, ku pavarësisht thirrjeve të tyre Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vijuar punën normalisht.

a.y/NOA

KOMENTE