English

Ngrihet një bust për Naum Veqilharxhin në Rumani, përurohet nga Haxhinasto

Braila, 23 Maj, NOA/ Eglantina Nasi – Një bust prej bronxi, i ndërtuar për nder të patriotit të madh shqiptar Naum Veqilharxhi, është vendosur në një nga rrugët kryesore të qytetit Braila, të Rumanisë.

Ai u shpalos në një ceremoni të veçantë, gjatë së cilës ka qenë i pranishëm edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, si dhe përfaqësues të ministrisë së Kulturës dhe së Punëve të Jashtme në Bukuresht.

Kjo ceremoni është pasuar edhe me një ekspozitë të veçantë, kushtuar dijetarit të njohur shqiptar, në mjediset e Bibliotekës Qendrore “Istria” të këtij qyteti.

Por të ftuar specialë të kësaj ceremonie, mësohet se kanë qenë edhe poeti Nicolae Grigore Mărăşanu; udhëheqës i rrethit letrar të Brailas, Mihail Sebastian; drejtor i "Istria" Biblioteka, poeti Konstandini Gherghinoiu; profesor Oana Manolescu, përfaqësues i komunitetit shqiptar të Rumanisë etj.

Kush ishte Naum Veqilharxhi?

I lindur në Vithkuq të Korçës, më 1797, Naum Veqilharxhi është një nga përfaqësuesit kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Familja e tij në vitin 1829, është vendosur në Braila të Rumanisë, ku Veqilharzhi ka punuar si një avokat gjatë periudhës së viteve 1832-1839.

Ai njihet si autor i shkrimit origjinal të gjuhës shqipe dhe i abetares (Evetor), të cilën e shtypi dhe e dërgoi në territoret shqiptare (1844-1845).

Ai është autor edhe i një manifesti të njohur, i cili mbështet fuqizimin e popullit nëpërmjet kulturës. n.e/NOA

KOMENTE