Tiranë, 23 maj 2011, NOA- (Update) Pas pushimit prej afro 30 minutash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinisur sërish mbledhjen, nga ku do të dalin edhe rezultatet përfundimtare për njësinë bashkiake numër 5, konkretisht për KZAZ-në nr.49 e më vonë priten edhe ato për Bashkinë e Tiranës.
Përfaqësuesi ligjor i socialistëve Genci Gjonçaj qysh në fillim të kësaj mbledhje theksoi se tabela për njësinë 49 nuk pasqyrohet nga akti që u miratua.
Më tej ai u shpreh se, “Në kalim të afatit prej 72 orësh vendimi për KZAZ 49 nuk u morr, sot komisioni nuk mund ta marrë atë, pasi subjekti Partia Socialiste e ka paditur këtë rast dhe fjala është në dorën e Kolegjit Zgjedhor”.
E njëjta kërkesë u mbështet edhe nga nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila tha se një vendimmarrje e tillë do të ishte e kundraligjshme.
Ndërkaq kreu i këtij komisioni, Arben Ristani theksoi se, kërkesa e përfaqësuesve të PS-së është e paligjshme, dhe për më tepër shtoi ai, vendimmarrja për këtë KZAZ është punë e KQZ-së dhe për këtë nuk mund që komisionin ta detyrojë gjykata.
a.y/NOA