English

Stonestreet: “No koment” për fletët e kontestuara, të zbatohet Kodi

Tiranë, 23 maj 2011, NOA – Një ditë para largimit nga Shqipëria ku kryesonte misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit, amerikani Jonathan Stonestreet nuk bëri asnjë koment rreth numërimit të fletëve të kontestuara pas takimit të sotëm me kryetarin e KQZ-së Arben Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi.

I pyetur nga mediat për atë ç’ka u diskutua në këtë takim kreu i misionit të vëzhguesve theksoi se gjatë takimit u bisedua për procesin zgjedhor të 8 majit dhe për grumbullimin e informacioneve lidhur me raportin përfundimtar për zgjedhjet, që do të publikojë OSBE/ODHIR-i pas afro dy muajsh.

Sipas Stonestreet për raportin përfundimtar duhen marrë parasysh jo vetëm qëndrimet e partive politike, por edhe të administratorëve të zgjedhjeve, shoqërisë civile dhe palëve të interesuara në proces.

I pyetur nga mediat nëse diskutuan për numërimin e fletëve të kontestuara Stonestreet anashkaloi komentin e tij duke u shprehur se ai nuk e preku aspak këtë çështje në bisedën e sotme dhe se nuk mund të bëjë interpretime të ligjit të zgjedhjeve.

“Nuk diskutuam për procesin që po vazhdon. Ky takim u përqendrua në të ardhmen e të gjithë procesit elektoral”, tha kreu i misionit të OSBE/ODHIR.

Ai tha se “Unë nuk dëshiroj të interpretoj atë që thotë ligji”, duke apeluar se një parim i rëndësishëm për palët është ai i respektimit të shtetit të së drejtës dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor.

Kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Jonathan Stonestreet tha se misioni largohet nesër, duke nënvizuar se në Tiranë do të qëndrojnë dy analistë të ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë edhe ankesat e partive politike në Kolegjin Zgjedhor, për betejën për bashkinë e Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE